Avokaturat dhe firmat “rrjepin” pensionistët kosovarë të kthyer nga Zvicra

Gjithnjë më shumë avokatura dhe firma tjera u “garantojnë” kosovarëve nxjerrjen e pensioneve të tyre nga Zvicra, ndërkohë që këtë mund ta bëjnë lehtë edhe vet. 

Lajme

12/08/2014 23:29

B. S., 55 vjeçar nga Prishtina kishte punuar 7 vjet në Zvicër dhe tash disa vite është kthyer për të jetuar në Kosovë. Koha deri në mbushjen e moshës për pension i ishte dukur shumë e gjatë ndërsa ndërprerja e marrëveshjes Zvicër-Kosovë po ia ndërlikonte edhe më shumë punën. Kështu, ai vendos për të tërhequr kontributet e punës së tij në Zvicër. Kishte dëgjuar se në Kosovë ka avokatë që ndërmjetësonin për këtë punë.

Ai gjeti një avokat në Prishtinë, i cili i kërkonte 10 për qind të shumës së parave që do t`ia nxirrte. B. S-së, edhe pse kjo shumë i ishte dukur pak e lartë, kishte pranuar. “Më mirë kështu se hiç ose pas 10-15 vitesh”, kishte menduar ai. Dhe puna ishte rregulluar sipas marrëveshjes.

Kështu si B.S. janë me mijëra ish punëtorë nga Kosova që kanë punuar në Zvicër dhe në mungesë të pensioneve mujore vendosin t`i tërheqin kontributet e tyre. Kudo në Kosovë ka avokatura që ofrojnë edhe këtë shërbim: kthimin e parave të punës së tyre nga Zvicra.

Zyra “Gjeloshi&Partners” është njëra ndër to. Kjo zyrë së fundi ka rënë në sy përmes artikujve reklamues të publikuar në mediet e Kosovës.

I kontaktuar nga albinfo.ch, shefi i saj, Zef Gjeloshi thotë se shërbimi që ofron ajo “është i veçantë”. Ajo që e dallon atë nga avokatët në Kosovë, është, sipas tij, në radhë të parë fakti se ai është jurist me diplomë zvicerane. “Unë jam jurist nga Zvicra dhe të gjitha punët i kryej në Zvicër. Kjo domethënë se i njoh ligjet aktuale të Zvicrës, e njoh gjuhën, etj. Një jurist i një shteti nuk mund të këshillojë dikë në lidhje me ligjet e një shteti tjetër”, shton ai.

Nga një deklaratë që Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore e Zvicrës ka dhënë për albinfo.ch, kuptohet se kontributet që zotohet t`i nxjerrë Gjeloshi, mund të tërhiqen edhe pa ndërmjetësim të ndonjë firme. Përse atëherë duhet të paguhet një zyrë për këtë shërbim, ishte pyetja e jonë drejtuar shefit të “Gjeloshi&Partners”. Ai e pranon se mosnjohja e procedurave, gjuhës etj. nga ana e bashkatdhetarëve tanë bën që ai të ketë mjaft punë.

“Shumë nuk e dinë gjuhën, nuk dinë ta përdorin internetin, të plotësojnë formularin madje ka edhe që janë analfabetë. Ndërsa përmes zyrës sonë brenda tre muajve atyre u arrijnë paratë në llogarinë personale. Për informata dhe konsultime ne nuk kërkojmë para”.

Zyra e tij ua bën me dije klientëve se nëse i tërheqin kontributet do të mbeten pa pension në kohën kur e arrijnë moshën e pensionit, sqaron Gjeloshi.

“Së pari ne ua kërkojmë atyre dokumentet te institucionet shtetërore të Zvicrës. Aty figuron se sa ka punuar dhe sa ka fituar klienti ynë. Në bazë të atyre dokumenteve ne e llogarisim se sa para i takojnë atij sot dhe sa para i takojnë nëse pret deri në moshën 65 vjet dhe nëse arrihet marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës. E pastaj klienti vetë duhet të vendosë nëse dëshiron t`i tërheqë paratë sot ose të presë…”.

Nga përvoja e tij Gjeloshi ka konstatuar se “diku 60% të klientëve vendosin t`i marrin paratë menjëherë (sepse kanë shumë nevojë për para). 40% duan të presin ose janë të pavendosur.

Doris Malär, zëvendës shefe për çështje ndërkombëtare në Zyrën Federale për Sigurime Shoqërore (BSV/OSAF), duke folur për albinfo.ch, tha se është e informuar për firmat që ndërmjetësojnë për nxjerrjen e kontributeve të kosovarëve. Sipas saj, bëhet fjalë për një “zhvatje dhe fitim të padrejtë parash” në kurriz të kosovarëve.

“Mjerisht, kemi dëgjuar shpesh se njerëz ose ndërmarrje të caktuara në Kosovë përpiqen të shfrytëzojnë situatën që, duke prezantuar të dhëna të rrejshme, në emrin e kompensimit material, t`ua marrin personave të prekur një pjesë të kredisë për përfaqësimin gjoja të detyrueshëm që ua bëjnë në këto raste. Ne nuk mund të gjykojmë nëse një lloj i këtillë i këshillimit/përfaqësimit është i lejuar me të drejtën kosovare. Por, nga këndshikimi ynë këtu bëhet fjalë për fitim të pandershëm parash dhe zhvatje të pastër”, tha Malär.

Fletëpalosja përkatëse në disa gjuhë mund të gjendet në adresën:  http://www.bsv.admin.ch/themen/internationales/aktuell/index.html?lang=de

“Në këtë kontekst ne i referohemi veçanërisht kapitullit 6, atij që flet për rimbursimin e kontributeve. Vlen të përmendet se kërkesa për një rimbursim të mundshëm NUK KA NEVOJË për përfaqësim nga ndonjë firmë ose e ngjashme”, nënvizoi znj. Malär.

Personat që kanë nevojë, mund t`i shkarkojnë formularët në internet dhe t`i plotësojnë ato vetë. Në shumë raste kontributet mund të lihen edhe në sigurimet zvicerane, në mënyrë që, në rast të një marrëveshjeje të re, pretendimet e tyre të mbeten të vlefshme. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me personat që janë ende larg nga mosha e pensionimit”, thotë ajo.

Ruzhdi Ibrahimi, specialist i sigurimeve shoqërore dhe nëpunës në Fondin për të papunët të Unia-s në Basel, thotë se firmat që reklamojnë se “do t`u nxjerrin pensionet” kosovarëve që kanë punuar në Zvicër, e kryejnë veprimtarinë e tyre në kuadër të legjislacionit në fuqi.  “Por ato me siguri po e shfrytëzojnë mungesën e informimit dhe mosnjohjen e ligjeve nga shumica e bashkatdhetarëve tanë në nevojë”, vlerëson ai.

Sa i përket vendimit të kosovarëve që janë kthyer të jetojnë në Kosovë, që t`i tërheqin pensionet e tyre pa e pritur nënshkrimin e një marrëveshjeje Zvicër-Kosovë, Ibrahimi thotë se mjerisht, nuk është e moralshme t`iu kërkojmë që të mos e bëjnë këtë, duke marrë parasysh gjendjen e tyre të rëndë ekonomike.