Avokatja Hoxha flet për rastin Agon Zejnullahu: Deri tani nuk shoh shkelje të të drejtave të njeriut nga policia
Avokatja Adelina Hoxha ka komentuar rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në rrethana të dyshimta në Lipjan, ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta publike. Në një lidhje telefonike për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Hoxha deklaroi se, bazuar në pamjet që janë publikuar deri më tani, ajo nuk sheh shkelje…

Lajme
Avokatja Adelina Hoxha ka komentuar rastin e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në rrethana të dyshimta në Lipjan, ngjarje që ka shkaktuar reagime të shumta publike.
Në një lidhje telefonike për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Hoxha deklaroi se, bazuar në pamjet që janë publikuar deri më tani, ajo nuk sheh shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e zyrtarëve policorë. “Për aq sa kam parë në dy pjesë të videove të ndara, nuk ka cenim të të drejtave të njeriut”, tha ajo, transmeton lajmi.net.
“Në pjesën e videos që unë e kam parë, tashmë i ndjeri, që ka qenë nën ndikim të alkoolit ose substancave të tjera, ose nën ndonjë presion psikologjik, ka filluar sulmin dhe ka vrapuar drejt zyrtarit policor. Ai ka qenë vetëm duke qëndruar, dhe në atë moment ka reaguar me sprej”, theksoi Hoxha.
Ajo shtoi se, nga përvoja e saj, nuk përjashtohet mundësia që përbërja e sprejit të përdorur nga polici të ketë ndikuar në gjendjen e të ndjerit, por theksoi se kjo duhet të vlerësohet nga ekspertët përkatës.
Ndërkohë, rasti i vdekjes së të riut po hetohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”./lajmi.net/