Avokati Venhar Hana u arrestua nën dyshimet për dallavere me pronën e RTP-së në “Veternik”, dëmi pretendohet të jetë disa milionësh

Një avokat dhe një instruktor u arrestuan të mërkurën në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ata dyshohen për “Falsifikim të dokumentit”, “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim”. Bëhet fjalë për avokatin Venhar Hana dhe Dritmir Islamin. Po ashtu, burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë…

Lajme

12/06/2025 08:40

Një avokat dhe një instruktor u arrestuan të mërkurën në një aksion të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Ata dyshohen për “Falsifikim të dokumentit”, “Legalizim të përmbajtjes së rreme” dhe “Mashtrim”.

Bëhet fjalë për avokatin Venhar Hana dhe Dritmir Islamin.

Po ashtu, burime të “Betimi për Drejtësi” bëjnë të ditur se avokati Hana u arrestua lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumenteve të pronës 4 hektarëshe të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP) në Veternik.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi më 11 qershor 2025 se sipas urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse, u realizua aksioni në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku u arrestuan dy të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohen se me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore kanë falsifikuar dokumentin, kanë legalizuar dokumente të falsifikuara dhe kanë mashtruar persona të ndryshëm duke shkaktuar dëm disa milionësh.

Ndryshe, avokati Hana ka qenë subjekt i hulumtimit të rastit të një prone milionëshe në “Veternik”, i cili rast është hulumtuar nga “Betimi për Drejtësi”, ku janë paraqitur prova për falsifikimet e pretenduara.

Avokati Hana, sipas vendimit për leje ndërtimore ishte bërë edhe bashkëpronar në pronën 9 hektarëshe në Veternik, e cila dyshohet se u fitua përmes falsifikimit dhe mashtrimit.

Gjithashtu, Hana ka qenë edhe përfaqësues i të dyshuarit Ylber Hyseni. Në anën tjetër, në betejën e familjes Sadiku për sekuestrimin e kësaj pronës ai ka qenë përfaqësues i subjektit juridik “Lirimi&ACL” shpk dhe përfaqësuesi të gjithë bashkëpronarëve të ngastrës në fjalë.

Për pronën mbi 9 hektarëshe, tre hektarë prej tyre, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se janë të tyre, “Betimi për Drejtësi”, fillimisht kishte raportuar më 13 shtator 2021, dhe kishte zhvilluar debat në emisionin “Tempus”.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” dhe diskutimi i zhvilluar në “Tempus”, do bënte që prokuroria të trajtonte kallëzimin penal të bërë nga palët dhe të niste hetimet ndaj Ylber Hysenit, me dyshimin se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Legalizimit të përmbajtjes së rreme”, si dhe do kërkonte sekuestrimin e përkohshëm të pronës në Veternik, në të cilën veç kishin nisur punimet.

Ndërsa, më 6 prill 2024, “Betimi për Drejtësi”, ka publikuar hulumtimin “Beteja” për pronën milionëshe në Veternik”, ku tregohej se si çështja e sekuestrimit të pronës kishte shkuar sa në shkallë të parë dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar gjersa dëmi po rritet.

Kurse, “Betimi për Drejtësi” më 26 tetor 2024, publikoi hulumtimin “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, ku tregohej se si Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte vendosur t’ia falte besimin një prove të ardhë përmes postes “DHL Serbia”, duke injoruar përgjigjen zyrtare të ardhë përmes bashkëpunimit me ILECU.

Prokurorja Salihu, këtë përgjigje zyrtare nuk e kishte përfshirë as në aktvendimin për pushimin e hetimeve. Ndërsa, zarfi i referohej kërkesës së Ministrisë se Drejtësisë. Kjo e fundit ka thënë se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje lidhur me këtë kërkesë, e cila shkon përmes zyrës se BE-së, njësoj edhe përgjigja.

Në këtë zarf të dërguar përmes rrugëve jozyrtare, kinse gjendej historiku i kësaj prone 9 hektarëshe dhe i referohej Kosovës Republikë, çka sipas palëve ngriste dyshimin për një falsifikim tjetër të radhës.

Më 29 tetor 2024, me një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Danilo Radunoviq, përgjegjës i Departamentit të Arkivave të Entit Republikan i Gjeodezisë në Serbi, ka thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me ketë dërgesë.

“Enti Republikan i Gjeodezisë-Departamenti i Arkivës dhe unë personalisht, nuk kemi asnjë lidhje me dërgesën e DHL që ju e përmendni, si dhe nuk e kemi njohuri se kush e ka dërguar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë.

Po ashtu, në përgjigjen e këtij institucioni të Serbisë, thuhet se Enti Gjeodezik Republikan lëshon dhe dërgon dokumente vetëm në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe kjo nuk dërgohet përmes Postës “DHL”.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” tregon se si po hetohet edhe noterja Valdete Ademi që kishte noterizuar këto dokumente, e cila shihet se ka shoqëri me gruan e të dyshuarit Afrim Gashi, Melihate Gashin. Për Gashin, Njësia e Inteligjencës Financiare kishte rekomanduar Policisë që të hetohej për transaksione të dyshimta dhe evazion fiskal.

Në një foto ku noterja dhe Melihate Gashi shihen në shoqërimin e njëra-tjetrës, prokuroja që ka mbyllur rastin- Nebahate Salihu, kishte komentuar duke i dërguar një “lule të madhe”.

Prokurorja Salihu kishte refuzuar të përgjigjet se pse kishte mbyllur hetimet për këtë rast bazuar në një zarf.

“Përgjigjem me kohë. Ju kam tregu edhe herën e kaluar, se jam për ngutë, e kam një kërkesë atje. Më fal”, kishte thënë prokuroria Salihu.
Ndryshe, djali i Nexhat Sadikut, Ergyn Sadiku, i cili pretendon të jetë pronari i vërtetë i kësaj prone, thotë se arsyeja se po hasin në pengesa për të zbardhur ketë rast është se mbrapa të dyshuarve qëndrojnë njerëz të fuqishëm.

“Kemi gjetur fotografi që janë të komentuara në rrjete sociale mes anëtareve të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale z. Blerim Isufaj, fëmijët e tij bëjnë komente tek familja e Afrim Gashit, konkretisht i bëjnë komente bashkëshortes së Afrim Gashit, Melihate Gashit”, ka thënë Ergyn Sadiku.

Prokuroria e Apelit, pas ankesës së palëve, kishte kthyer rastin në rivendosje dhe ka treguar se si Themelorja të veprojë tutje.

Në këtë rast, pronarë të rreth 3 hektarë tokë pretendojnë të jenë Nexhat dhe Gursel Sadiku. Detajet nga hulumtimi, mund t’i gjeni: KETU.

Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.

Ndërsa kishte reaguar edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu duke thënë se ky rast është shembull se si ka funksionuar e funksionon ende drejtësia në Kosovë.

Këtë pronë, Nexhat dhe Gursel Sadiku pretendojnë se e kishin në posedim dhe e kishin punuar qysh nga viti 1938. Pasi kishin kuptuar se toka iu është marrë nga komuna, familja Sadiku kishte bërë padi në vitin 1984 për të vazhduar me disa procedura deri pas luftës. Në vitin 2010, kësaj herë në Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, ata do bënin padi ndaj “Kosova Eksport” që përfaqësohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Për dallim nga familja Sadiku, të cilët të drejtën e pronësisë për rreth 3 hektarë në gjykatën e kishin kërkuar qysh nga 1984, këtë parcelë përfshirë edhe parcelat tjera, në total 9 hektarë në “Veternik”, e kishte fituar Zojë Hyseni, 86 vjeçare.

Padia e 86 vjeçares e bërë tek më 9 dhjetor 2014 ishte trajtuar në kohë rekord ku më 14 shtator 2015, pra për vetëm 9 muaj e 6 ditë, iu ishte njohur e drejta e pronësisë. Aktgjykimi ishte marrë pak ditë para se të ndërronte jetë Zojë Hyseni, ndërsa Gjykata për vdekjen e saj ishte njoftuar tek në vitin 2019, pasi ky vendim ishte bërë i plotfuqishëm.

Në anën tjetër, padia e familjes Sadiku megjithëse ishte bërë para asaj të Hysenit, ajo u trajtua 7 vite pas, në vitin 2017. Madje, u trajtua nga po i njëjti Kolegj, i cili padinë e saj, e kishte hedhur poshtë në mungesë legjitimiteti të palëve.

Pas ankesës, në 2021 shkalla e dytë e Dhomës së Posaçme të Gjykatës se Supreme, kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë dhe padinë e kishte refuzuar si të pabazuar mbi bazën se kjo çështje tashmë është çështje e gjykuar.

Pra, kolegjet vendosen për padinë e dytë, të bërë në vitin 2014 dhe jo për padinë e parë të ushtruar në vitin 2010. Zojë Hyseni të drejtën e pronësisë e kishte fituar në bazë të dokumenteve të viteve 60-ta të nxjerra aso kohe në gjuhën serbe, për të cilat palët po ngrisin dyshime se të njëjtat ishin të falsifikuara.

Këto dokumente i kishte noterizuar noterja Valdete Ademi, e cila në deklaratën e saj në Polici kishte deklaruar se me përgjegjësi të plotë deklaron se ajo këto dokumente i kishte noterizuar nga origjinali dhe se ajo asnjëherë nuk noterizon diçka pa pasur në dorë origjinalin.

Megjithëse, sipas aktgjykimit të Gjykatës mbi bazën e së cilit Zojë Hyseni e kishte fituar pronën thoshte se, origjinali i tyre gjendej në arkivat përkatëse të Komunës së Prishtinës, e vërteta nuk qëndronte ashtu.

Palët Sadiku, privatisht kanë bërë një ekspertizë të dokumentit “Resenje Broj ”, të vitit 1961 e që sipas ekspertizës nga mostrat e analizuara vula nuk është e njëjtë me mostrat e marra të asaj kohe, si dhe nënshkrimi nuk është i zyrtarit që ka nënshkruar.

Për më tepër, palët kanë pretendime edhe për dokumente tjera, të cilat Kolegji i kishte marrë parasysh, e që sipas tyre datat e lëshimit të dokumenteve rezultojnë ditë vikendi.

Emri i të ndjerës Zojë Hyseni, dyshohet të jetë përdorur për një skemë të madhe mashtrimi, pikërisht nga djali i saj Ylber Hyseni. Ai në të gjitha dokumentet do paraqitej si përfaqësues i saj, e më pas edhe si trashëgimtari i vetëm.

Për këtë, do trashëgonte pronën milionëshe në Veternik, për të cilën nuk do vononte ta parcelizonte dhe shiste.

Për këtë rast, ishte lëshuar urdhërarrest për Ylber Hysenin i cili gjendej në arrati, ndërsa ishte arrestuar bashkëpunëtori i tij Afrim Gashi, i cili ishte i autorizuar nga Ylber Hyseni për të bërë shitblerjen e kësaj prone.

Për Afrim Gashin dhe gruan e tij Melihate Gashin, raport ka nxjerrë edhe Njësia për Inteligjencë Financiare, kur ka kërkuar të hetohen për transfere tëdyshimta dhe shmangie nga tatimi.