Avokati thotë se policia nuk e ndaloi Kadri Shalën kur hyri në Kosovë

Kadri Shala, pronar i kompanisë "LDA Group", të cilit i janë transferuar 2.1 milionë euro nga Thesari i Shtetit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës. Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Lajme

26/10/2020 18:15

Avokati mbrojtës, Osman Hoxha, para mediave pas intervistimit të Shalës tha se klienti i tij është vetëdorëzuar në polici  sot rreth orës 12:45, pas kthimit nga Turqia.

“I njëjti paraprakisht siç ka paralajmëruar se do të paraqitet në stacionin policor dhe do të bëjë vet dorëzimin, i njëjti ashtu ka vepruar. Sot dikur rreth orës 12 e 45 minuta kemi ardhur në stacionin Policor, jemi paraqitur dhe kemi filluar intervistën diku nga ora 12 e 55 minuta deri në ora 17 e 5 minuta. Çdo gjë ka qenë konform ligjit, sjellja ka qenë korrekte, i janë respektuar të drejtat, liritë. Tani për tani nuk mund të lëshohemi më tepër për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Ky ka jetuar në Kosovë, ashtu siç është thënë edhe më herët përmes mediave ka udhëtuar për një kohë të shkurtër në Turqi, është kthyer vetë sot. Unë veç u shpreha lidhur me atë që kemi ardhur me të dhe bashkë jemi paraqitur në stacionin policor në Prishtinë”, ka thënë Hoxha.

I pyetur se pse nuk është ndaluar gjatë hyrjes në territorin e Kosovës, avokati i Shalës ka thënë se “Ajo çështje nuk i përket avokatisë, aty janë organet kompetente”.

Lexo edhe: 

Ndalohet për 48 orë pronari i kompanisë që iu transferuan mbi 2 milionë euro nga thesari i shtetit

Avokati mbrojtës tha se klientit të tij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga prokuroria.

“Të njëjtit sapo përfunduam intervistën iu komunikua se Prokuroria Speciale. Më duket ka lëshuar urdhër për ndalim 48 orë, të cilin afat u zotuam se do ta respektojmë dhe me kohë do të njoftohemi për bazat e mëtejshme”, tha ai.

Kadri Shala është dorëzuar në lidhje me rastin e “avullimit” të 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit. /Lajmi.net/