Avokati Syla zbulon detaje të reja: Babai i Naim Murselit ka deklaruar se djalit të tij i ishin shfaqur disa fotografi intime

Në seancën gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, ka paraqitur argumente dhe pretendime të reja lidhur me rolin e të akuzuarve në këtë rast. Sipas tij, i akuzuari Naim Murseli ka dhënë versione të ndryshme gjatë procesit gjyqësor, ndërsa nga provat, siç tha ai, rezulton se arma…

Lajme

17/04/2026 11:43

Në seancën gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, avokati i familjes Ademaj, Leutrim Syla, ka paraqitur argumente dhe pretendime të reja lidhur me rolin e të akuzuarve në këtë rast.

Sipas tij, i akuzuari Naim Murseli ka dhënë versione të ndryshme gjatë procesit gjyqësor, ndërsa nga provat, siç tha ai, rezulton se arma e përdorur në krim është siguruar nga Granit Plava. Syla shtoi se mes të akuzuarve ka pasur komunikim dhe kontakt të vazhdueshëm.

“Nga provat materiale dhe personale është konfirmuar se Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën, kishin planifikuar vrasjen e Liridona Ademajt, por ai vetë nuk kishte pranuar ta kryente vrasjen”, deklaroi Syla.

Ai përmendi gjithashtu një provë, ku sipas tij, të akuzuarit shihen së bashku duke u larë në një liqen, gjë që, siç tha, dëshmon për raportet e tyre të afërta.

“Kjo punë kryhet nesër, sigurt”, është një nga komunikimet që, sipas Sylës, figuron në materialet e çështjes, duke shtuar se të akuzuarit kanë përdorur edhe nofka për të fshehur identitetin e tyre.

Avokati përmendi edhe dëshminë e Shaban Murselit, babait të Naim Murselit, i cili ka deklaruar se djalit të tij i ishin shfaqur disa fotografi, përfshirë edhe fotografi intime.

Syla gjithashtu theksoi se, sipas tij, Naim Murseli ka dhënë deklarata të pavërteta për blerjen e armës, ndërsa Granit Plava gjatë procesit ka ndryshuar dhe plotësuar dëshminë e tij./lajmi.net/