Avokati Niniq: Milan Radoiçiq fshihet pas grupit “Corridor”
Avokati serb, Ivan Niniq, ka deklaruar se ka paraqitur një kallëzim penal në Departamentin për Krime të Teknologjisë së Lartë të Prokurorisë së Lartë, kundër tre personave të panjohur që operojnë me llogari në TikTok, X dhe në grupin e Telegramit “Corridor”. Sipas tij, kjo erdhi pas publikimit të një videoje që e shënjestronte personalisht.…

Lajme
Avokati serb, Ivan Niniq, ka deklaruar se ka paraqitur një kallëzim penal në Departamentin për Krime të Teknologjisë së Lartë të Prokurorisë së Lartë, kundër tre personave të panjohur që operojnë me llogari në TikTok, X dhe në grupin e Telegramit “Corridor”.
Sipas tij, kjo erdhi pas publikimit të një videoje që e shënjestronte personalisht.
Në një intervistë për televizionin N1, Niniq tha se grupi “Corridor” vepron në territorin e Kosovës dhe se pas tij qëndrojnë disa gazetarë të financuar nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ndërsa aktivitetet e tyre, sipas tij, mbështeten edhe nga fondet e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit.
Ai përmendi edhe emrin e Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, për të cilin beson se qëndron pas këtij grupi.
Niniq shtoi se më herët ka qenë cak i sulmeve të ngjashme nga i njëjti grup.
Sipas tij, videoja kundër tij është e organizuar nga struktura partiake të Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe përmbajtja e saj është “e neveritshme”.
Ai e krahasoi atë me fushatën që i parapriu vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç.
“Është i njëjti dorëshkrim, i njëjti skenarist dhe regjisor. Oliver Ivanoviq paralajmëroi se çfarë e priste, dhe ashtu ndodhi. Deri sot nuk dimë kush qëndron pas atij krimi”, tha Niniq.
Avokati theksoi se shoqëria serbe ende trashëgon “likuidimin e disidentëve politikë”, duke shtuar se ndonëse është i neveritur nga fushata kundër tij, nuk ka frikë.
Ai tha se është bërë shënjestër për shkak të angazhimit të tij në mbrojtjen e studentëve dhe profesorëve në qindra raste gjyqësore, duke theksuar se nuk është nën kontrollin e ndonjë partie, shërbimi sigurie apo shteti të huaj.
“Unë jam një person që veproj i lirë. Një profil i tillë personaliteti gjithmonë do të jetë në shënjestër”, u shpreh ai.
Niniq kujtoi gjithashtu se në të kaluarën ka mbrojtur edhe serbë nga Kosova, të cilët, sipas tij, janë persekutuar nga Lista Serbe dhe Radoiçiq.