Avokati i Veselit: Pyetjet e gjyqtarëve s’janë sqaruese por të anshme, po përdoren për të dalë në përfundimet e veta
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ka kritikuar mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarit Sylejman Selimi nga trupi gjykues, konkretisht kundërshtimi i tij ishte në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux. Ai tha se këto pyetje të bëra nga trupi gjykues nuk janë sqaruese dhe nuk duhet të bëhen nga trupi gjykues dhe se pyetjet…
Lajme
Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon ka kritikuar mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarit Sylejman Selimi nga trupi gjykues, konkretisht kundërshtimi i tij ishte në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux.
Ai tha se këto pyetje të bëra nga trupi gjykues nuk janë sqaruese dhe nuk duhet të bëhen nga trupi gjykues dhe se pyetjet e tyre nuk janë të paanshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kështu që ai rikujtoi mocionin e ekipeve mbrojtëse të vitit të kaluar, ku kishin kërkuar paanshmëri nga ana e trupit gjykus për të siguruar proces të drejtë. Por, pas diskutimit me trupin gjykues, Kadri Veseli u pa teksa u ngrit në këmbë dhe diskutonte me ekipin e tij mbrojtës.
“Këto nuk janë pyetje sqaruese, por janë pyetje që po i përdorni si bazë ju nga ana e trupit gjykues, prandaj kjo është që e kemi trajtuar në mocionin tonë, këto janë pyetje që mund t’i bëjë pala në pyetjet plotësuese. Këto nuk janë pyetje që duhet t’i marrë trupi gjykues. Unë desha të dija se a keni marrë ju ndonjë vendim për mocionin tonë që është pezull, bëhet fjalë për mocionin e 13 nëntorit 2024”, tha Rodney Dixon gjatë kundërshtimit.
Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, tha se vendimi i tyre është se do të vazhdojnë me pyetjet në formën siç e kanë bërë më herët.
“Vendimi ynë është që do të vazhdojmë me pyetje në formën siç e kemi bërë. Pyetjet lejohen nga rregullorja e procedurës dhe mund të bëjmë pyetje lidhur me çdo temë të mundshme”, tha ai.
Dixon tutje tha se pyetjet e trupit gjykues, po përdoren si bazë që gjykatësit të dalin në përfundimet e tyre.
“Po unë po them që në mocionin tonë ne kemi kërkuar që të garantohet e drejta e të akuzuarve dhe të garantohet paanshmëria dhe drejtësia e procesit gjyqësor. Ne duam që kjo të merret parasysh dhe ne po theksojmë edhe njëherë që sot pyetjet nuk janë pyetje të paanshme. Këto janë pyetje josqaruese nga ana e gjykatësve, por janë pyetje që po përdoren si bazë nga gjykatësit për të dalë në përfundimet e tyre”, tha ai.
Ky diskutim ishte përpara se të fillonte pyetjet gjyqtari Fergal Gaynor, pra gjatë pyetjeve të gjyqtarit Mettraux.
Pas përfundimit të pyetjeve nga trupi gjykues, pyetje shtesë për dëshmitarin pati prokurori Matt Halling për të vazhduar serish mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.