Avokati i Veselit: Në thelb, prokurori tha se dëshmitari Bashota është i anshëm dhe i pabesueshëm
Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorit Matt Halling, mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon, deklaroi që në thelb përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), tha se dëshmitari Sokol Bashota është i pabesueshëm dhe i anshëm. “Ju e dëgjuat sot paradite atë që zoti Halling e tha për ju, pra…
Lajme
Pas përfundimit të pyetjeve të prokurorit Matt Halling, mbrojtja e Kadri Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon, deklaroi që në thelb përfaqësuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), tha se dëshmitari Sokol Bashota është i pabesueshëm dhe i anshëm.
“Ju e dëgjuat sot paradite atë që zoti Halling e tha për ju, pra në fund të pyetjeve të veta. Mbase pozicioni i tij nuk ishte shumë i qartë, por në thelb ajo se çfarë tha zoti Halling është që si dëshmitar i Prokurorisë që jeni, jeni dëshmitar i anshëm, domethënë dëshmitar i pabesueshme’, tha Dixon duke iu drejtuar Bashotës.
Si rrjedhojë, Dixon tha se dëshiron që të bëhet i drejtë me dëshmitarin dhe të japë qëndrimin e vet sa i takon këtij pretendimi të prokurorit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“A keni ardhur këtu për të qenë dëshmitar i anshëm dhe për të dhënë dëshmi në favor të ndonjërit prej të akuzuarve pavarësisht si ka qenë e vërteta?”, pyeti Dixon.
Ndryshe, qëndrimi i prokurorit Halling ka mundur të jetë dhënë gjatë seancës privat. Megjithatë, Bashota tha se është i përgjegjshëm për përgjegjësitë e tij ligjore dhe është munduar ta thotë të vërtetën konform betimit të dhënë.
“Unë jam shumë i vetëdijshëm për përgjegjësitë e mia edhe juridike edhe penale që i kam këtu dhe absolut nuk kam ardhë këtu për të mbrojtë asnjë kauzë përpos të vërtetës dhe vetëm të vërtetës komform betimit që kam dhënë. Le t’më falin nëse vëmendja tek unë nuk është e atij nivelit për me mbajtë mend gjithçka për arsye se nuk jam marrë kurrë sa i takon pjesës së luftës mbas luftës, por realisht këtu vij me thanë për atë që di, që e kam pa dhe atë që mbaj mend”, tha Bashota.
Dëshmitari tha se është e saktë që me aq sa di dhe i kujtohet e ka thënë të vërtetën këto ditë në gjykatë.
Megjithatë, Bashota pohoi se asnjëherë gjatë këtyre seancave prokurori nuk i kishte thënë se është dëshmitar i anshëm dhe po mbante anën e ndonjërit prej të akuzuarve. Krahas kësaj, mohoi se prokuroria i ka treguar atij ndonjë pjesë të aktakuzës ndaj katër të akuzuarve ose se çfarë përmban ajo në tërësi.
Pyetje për dëshmitarin pati edhe Luka Mishetiq që përfaqëson Hashim Thaçin, i cili u fokusua tek çështja e kolaboracionistëve e gjithashtu disa pyetje ai i bëri në seancë private.
Pas Mishetiqit dhe Dixonit, pyetjet për dëshmitarin i filloi trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe.