Avokati i Popullit pranon ankesën e Bllacës, nis hetimet
Institucioni i Avokatit të Popullit ka shqyrtuar ankesën e të dënuarit me burgim Nazim Bllaca për shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut apo keqpërdorimit nga autoritetet publike.
Lajme
Me një vendim, të cilin e ka siguruar koha.net, e i cili mban datën 15 janar 2015, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, në emër të Institucionit që ai drejton, i ka kumtuar Bllacës se ka vendosur që ankesa është e pranueshme dhe do të nisë hetim në lidhje me shkeljen eventuale të të drejtave të njeriut.
“Institucioni i Avokatit të Popullit, në bazë të nenit 29 të Rregullores së punës, nr. 01/2001 të Institucionit të Avokatit të Popullit, ankesën tuaj e ka regjistruar në regjistrin e të dhënave me këtë numër: Ankesa nr. 10/2015. Në rast se kontaktoni me Institucionin e Avokatit të Popullit, lidhur me ankesën tuaj, si dhe në rast të letërkëmbimit, Ju lutemi t’i referoheni numrit të ankesës suaj”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Më tej, ky institucion i kërkon Bllacës që t’i përgjigjet kërkesave të tyre për informacione, dokumente apo sqarime shtesë.
Kërkesa e Bllacës ndaj Avokatit të Popullit për hetim vjen si rrjedhojë e refuzimit të tri parashtresave të tij për lirim të parakohshëm.
Parashtresat për lirim me kusht janë refuzuar Paneli që funksionon në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në këto shkresa përmendet insistimi i prokurorit, që po heton Azem Sylën, që Bllaca të lirohet.
Nazim Bllaca është i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit, të kryer në vitin 1999. Është i vetmi nga grupi kriminal i dërguar në vuajtje. Të tjerët janë në liri, pos Driton Hajdarit, i cili është dërguar në burg për shkak të arratisjes.
Në arrati janë edhe Shpresim Uka e Bekim Syla, derisa në liri janë Sadik Abazi dhe Shaban Syla. Ky grup është dënuar një vit para Bllacës, por autoritetet kanë vendosur t’i lënë ende në liri, raporton koha.net.