Avokati i Popullit letër Trendafilovës- Alarmon për shkeljet në Speciale, paraburgimi i zgjatur në kundërshtim me standardet ndërkombëtare
Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, i është drejtuar me letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova. Qelaj ka alarmuar për pranimin e provave nga Serbia, e dhjetëra shkelje të tjera. Qelaj ngre shqetësime edhe për kufizimet në komunikim, vizita familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit, duke paralajmëruar për shkelje serioze të të…
Lajme
Avokati i Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, i është drejtuar me letër kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova.
Qelaj ka alarmuar për pranimin e provave nga Serbia, e dhjetëra shkelje të tjera.
Qelaj ngre shqetësime edhe për kufizimet në komunikim, vizita familjare dhe monitorimin e vazhdueshëm gjatë paraburgimit, duke paralajmëruar për shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut.
Në letrën e tij, Qelaj thekson se procedurat që zhvillohen para Dhomave të Specializuara, sipas vlerësimit paraprak të institucionit që ai drejton, paraqesin mangësi serioze në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Një nga shqetësimet kryesore që ngre Avokati i Popullit është fakti se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi vendor të monitorimit apo llogaridhënies, ndërsa veprimtaria e tyre, sipas tij, ka prodhuar perceptim të mungesës së barazisë para ligjit. Qelaj vë në dukje se të gjithë të akuzuarit deri më tani janë të përkatësisë së njëjtë etnike, gjë që ngre dyshime serioze për zbatimin selektiv dhe monoetnik të juridiksionit, pa sqarime të mjaftueshme për publikun vendor dhe ndërkombëtar.
Letra e plotë:
E nderuara znj. Trendafilova,
Më lejoni fillimisht t’ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet institucioneve tona. Këtë e bëj duke qenë i vetëdijshëm plotësisht se ky bashkëpunim zhvillohet në një kontekst sfidues dhe jo gjithmonë në kushte të mirëkuptimit të plotë reciprok. Megjithatë, e vlerësoj komunikimin tonë të vazhdueshëm si dëshmi të një përkushtimi të përbashkët ndaj angazhimit, transparencës dhe dialogut institucional.
Po ju drejtohem për t’ju paraqitur shqetësimet e mia fillestare dhe parimore lidhur me përputhshmërinë e procedurave para Dhomave të Specializuara me të drejtat themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, instrumentet përkatëse ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe, kur është e aplikueshme, jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila përbën burim të brendshëm të së drejtës në përputhje me nenin 53 të Kushtetutës. Kjo letër është qëllimisht e kufizuar në fushëveprim dhe trajton çështje parimore, pa ofruar një vlerësim të detajuar apo shterues, e të cilin Zyra ime vazhdon ta bëjë ndaras.
Fillimisht, më duhet të ritheksoj konkluzionin tim paraprak se Dhomat e Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë mekanizmi monitorues apo llogaridhënieje nga institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se procedurat e zhvilluara para Dhomave të Specializuara shfaqin mangësi të theksuara në respektimin e të drejtave themelore, në veçanti të së drejtës për gjykim të drejtë. Këto mangësi janë të dukshme në disa dimensione. Në veçanti, Zyra ime ka vërejtur se të dy grupet e personave të akuzuar duket se janë monoetnike në përbërje. Kjo rrethanë, së bashku me mënyrën se si është ushtruar deri më tani juridiksioni, ngre shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit dhe perceptimin e drejtësisë së paanshme. Është veçanërisht shqetësuese që juridiksioni duket se është zbatuar pothuajse ekskluzivisht në mënyrë monoetnike, pa ndonjë shpjegim të mjaftueshëm për opinionin publik vendor apo ndërkombëtar lidhur me bazën faktike, ligjore dhe juridiksionale që e arsyetojnë një selektim të tillë.
Kjo situatë bëhet edhe më befasuese kur marrim parasysh se financimi i Dhomave të Specializuara buron nga një Veprim i Përbashkët i Këshillit të Bashkimit Evropian, një institucion i cili, në bazë të traktateve themeluese dhe jurisprudencës së Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, është i detyruar t’i japë përparësi mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë edhe në kuadër të veprimit të tij të jashtëm./Lajmi.net/