Avokati i familjes Ademaj: Hetuesit kontribuuan direkt në zbardhjen e vrasjes, kanë bë punë të palodhshme

Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, ka sqaruar edhe praninë e madhe të hetuesve në seancën ku u shpall aktgjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Sipas tij, është krejtësisht e natyrshme që në një moment të tillë të jenë të pranishëm hetuesit policorë, pasi ata kanë bartur barrën kryesore të hetimit që nga…

Lajme

21/04/2026 14:31

Avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, ka sqaruar edhe praninë e madhe të hetuesve në seancën ku u shpall aktgjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Sipas tij, është krejtësisht e natyrshme që në një moment të tillë të jenë të pranishëm hetuesit policorë, pasi ata kanë bartur barrën kryesore të hetimit që nga momentet e para të rastit.

Ai theksoi se, njësoj si në anën e prokurorisë ku ishin të pranishëm bashkëpunëtorë profesionalë, zyrtarë ligjorë, përkthyes dhe staf tjetër, edhe hetuesit konsiderohen pjesë e ekipit që ka kontribuar drejtpërdrejt në zbardhjen e rastit.

“Hetuesit janë pjesë e stafit të prokurorisë dhe është e kuptueshme që kanë dashur të jenë të pranishëm në shpalljen e vendimit, për të parë rezultatin e punës së tyre të palodhshme”, ka deklaruar Syla.

Ai shtoi se hetuesit kanë reaguar menjëherë pas ngjarjes, duke qenë në gatishmëri të plotë dhe duke arritur që në fazat e hershme të hetimit të vërtetojnë se nuk bëhej fjalë për grabitje, por për një vrasje të organizuar. /Lajmi.net/