Avokati i angazhuar në një rast tjetër, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryesuesit të Bordit të drejtorëve në KRM “Uniteti”

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Alajdin Avdullahi, avokati Shyqyri Syla ishte i angazhuar në një seancë tjetër gjyqësore në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është shtyrë seanca e së martës në rastin ku Avdullahi ngarkohet për korrupsion. Në këtë rast, Alajdin Avdullahi në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve në Kompaninë Regjionale të…

Lajme

02/07/2024 21:30

Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Alajdin Avdullahi, avokati Shyqyri Syla ishte i angazhuar në një seancë tjetër gjyqësore në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është shtyrë seanca e së martës në rastin ku Avdullahi ngarkohet për korrupsion.

Në këtë rast, Alajdin Avdullahi në cilësinë e kryesuesit të Bordit të drejtorëve në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Uniteti” në Mitrovicë, po akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka falsifikuar dokumentin zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjykatësi Avni Mehmeti tha se avokati Syla e ka njoftuar gjykatën se është autorizuar nga i pandehuri Avdullahi si mbrojtës i tij në këtë çështje penale dhe njëkohsisht ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme, me arsyetimin se në të njejtën kohë është i angazhuar në një seancë tjetër.

Në këtë seancë mungoi edhe i akuzuari Avdullahi, për të cilin gjykatësi Mehmeti tha se mungesën nuk e ka arsyetuar, por me gjasë është njoftuar nga mbrojtësi i tij lidhur me kërkesën për shtyrje të kësaj seance.

Ndryshe, i pranishëm në seancën e sotme gjyqësore ishte prokurori Njazi Rexha.

Në këto rrethana seanca e sotme është shtyrë, kurse ajo e radhës u caktua për në shtator.

Edhe seanca e 25 qershorit 2024 kishte dështuar, pasi mbrojtja ishte pa shkresa të lëndës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 31 maj 2024, Alajdin Avdullahi akuzohet se nga 15 marsi 2019, në pozitën e kryesuesit të Bordit të drejtorëve në Kompaninë Regjionale të Mbeturinave (KRM) “Uniteti”, në Mitrovicë, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe duke tejkaluar autorizimet e tij, pa një vendim paraprak të Bordit, ka furnizuar automjetin e tij privat “Golf 5” me derivate në pikat furnizuese të kompanisë KRM  “Uniteti”, deri më 2 shtator 2019.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti pastaj nga po e njëjta datë në mënyrë të kundërligjshme, pa shqyrtim dhe votim nga ana e anëtarëve të Bordit të drejtorëve, ka furnizuar automjetin e tij privat deri më 24 qershor 2020 në gjithsej 2656.48 litra, duke i shkaktuar dëm kompanisë në vlerë prej 2 mijë 633 euro e 58 centë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Avdullahi ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Avdullahi akuzohet se më 2 shtator 2019 ka përpiluar dokument të falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së Bordit të drejtorëve në KRM “Uniteti”, me qëllim që ta përdorë si të vërtetë, duke konstatuar në procesverbal se nga ana e 4 anëtarëve të Bordit është aprovuar kërkesa e kryesuesit të bordit se mund ta furnizojë veturën e tij private në pikat furnizuese të derivateve të KRM “Uniteti”, në mungesë të veturës zyrtare, pa u mbajtur fare mbledhja dhe pa u vendosur në atë rend të ditës.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Avdullahi ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, nga neni 390, paragrafi 2 të Kodit Penal.