Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se Kosova duhet të ketë një president që nuk vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, por që sipas tij duhet të jetë një figurë me integritet të lartë akademik, shoqëror dhe institucional.
Në një reagim publik, Hoti ka theksuar se presidenti duhet të ketë si prioritet ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe garantimin e balancës së pushteteve, duke mos qenë i motivuar nga mundësia e një mandati të dytë.
Ai ka vlerësuar se, sipas tij, në pesë vitet e fundit është vërejtur një përqendrim i madh i pushtetit, gjë që ka ndikuar në funksionimin e institucioneve të vendit, shkruan lajmi.net.
Hoti ka përmendur disa raste, përfshirë nënshkrimin e ligjeve që sipas tij kanë qenë kundërkushtetuese, çështje që lidhen me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vonesat në emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe raportimet për veprimet e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Po ashtu, ai ka përmendur edhe raportimet për presion ndaj mediave dhe bizneseve, si dhe mënyrën e caktimit të datës së zgjedhjeve.
Në fund të deklaratës së tij, Hoti ka theksuar se nëse nuk garantohet një balancim i tillë institucional, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje. /Lajmi.net/