AUV përgjigjet për skandalin e peshkut me krimba: Sasia e infektuar prej 35,170 kilogramë është e bllokuar dhe po përgatitet për asgjësim
Pas denoncimeve të shumta dhe raportimeve të mediave për praninë e krimbave dhe parazitëve në peshkun e ngrirë që shitet në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me një përgjigje zyrtare për këtë çështje. Në përgjigjen dërguar lajmi.net, AUV konfirmon se në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr.…

Lajme
Pas denoncimeve të shumta dhe raportimeve të mediave për praninë e krimbave dhe parazitëve në peshkun e ngrirë që shitet në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka dalë me një përgjigje zyrtare për këtë çështje.
Në përgjigjen dërguar lajmi.net, AUV konfirmon se në përputhje me vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë (Aktvendimi Nr. 2025:134825), po ndërmerren të gjitha masat për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk të infektuar me parazitë.
AUV njoftoi se kjo çështje ishte hapur më parë ku po ndëmerren përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve të peshkut, me qëllim të garantimit të sigurisë shëndetësore të konsumatorëve, raporton lajmi.net.
Po ashtu u tha se sasia e përmendur e peshkut e prekur me krimba është e bllokuar në depon e kompanisë dhe nuk u vu për qarkullim në treg.
“Në lidhje me këtë çështje, kemi edhe vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë – Dhoma e shkallës së dytë, sipas Aktvendimit Nr. të lëndës 2025:134825 me nr. dokumenti 07679680. Në përputhje me këtë vendim, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në bashkëpunim me kompaninë përkatëse, janë duke ndërmarrë përgatitjet për asgjësimin e 35,170 kilogramëve peshk, me qëllim garantimin e sigurisë shëndetësore të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Ky proces është i domosdoshëm për mbrojtjen e shëndetit publik dhe ruajtjen e integritetit të tregut ushqimor në Kosovë. Gjithashtu, ju njoftojmë se sasia e lartpërmendur e peshkut për asgjësim është aktualisht e bllokuar në depon e kompanisë dhe nuk është vënë në qarkullim në treg. Në momentin e asgjësimit AUV do të ju njoftoj.”, thuhet në përgjigjen e AUV për lajmi.net.
Çka u tha dje?
Në hulumtimin e Vox Kosova, u tha se prej vitesh qytetarët e Kosovës kanë konsumuar peshk të ngrirë të infektuar me krimba dhe parazitë, ndërsa institucionet shtetërore si Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Ministria e Bujqësisë, megjithëse e kanë konstatuar këtë problem, nuk kanë marrë masa efektive për ta ndaluar këtë situatë.
Përkundër vendimit për asgjësimin e peshkut të kontaminuar dhe fitores në Gjykatë, Agjencia doli me një njoftim të papritur duke thënë se prania e krimbave nuk paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Raporti i analizave laboratorike zbuloi parazitë të llojit Anisakis Simplex në shumicën e mostrave të peshkut të importuar nga kompani të ndryshme, duke përfshirë edhe furnitorët më të mëdhenj, të cilët sipas hulumtimit refuzuan t’a asgjësonin peshkun e infektuar pavarësisht urdhrit të Agjencisë. Megjithatë, kompanitë vazhduan të kërkonte lejimin për të shpërndarë produktin në treg, duke u bazuar në pretendimin se nuk kishte rrezik për konsumatorët.
Vendimet e gjykatës mbështetën masën e asgjësimit dhe ndalimin e shpërndarjes së peshkut me parazitë. Më pas, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës publikoi një njoftim që kundërshtonte të gjitha këto masa, duke sugjeruar se peshku me krimba mund të konsumohet nëse përgatitet në mënyrë të caktuar, një qëndrim që u kritikua ashpër dhe që i la qytetarët të ekspozuar ndaj rrezikut shëndetësor.
Ky skandal i rëndë tregon jo vetëm dështimin institucional, por edhe përfshirjen e niveleve më të larta të Ministrisë së Bujqësisë, përfshirë ministrin Faton Peci, i cili ishte informuar nga një sinjalizues për këtë situatë dhe megjithatë nuk ndërmori veprime për ta ndaluar atë. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj konsumit të peshkut të kontaminuar me krimba, një rrezik serioz për shëndetin publik në Kosovë.
Problemi i krimbave tek peshku në Kosovë ishte raportuar edhe më parë, ku theksohej se në kompani të ndryshme të cilat ishin importuar në Kosovë po e rrezikonin shëndetin e qytetarëve.
Disa nga këto kompani theksohej se kishin importuar peshkun nga Spanja në Kosovë.
Në një rast të vetëm 35 mijë kilogramë i mishit të peshkut të infektuar me krimba ishte importuar nga Spanja dhe Maqedonia e Veriut në fund të vitit 2023. “Taunita, MC Food, Delfin” e shumë të tjera ishin kompani që thuhej se kishin rrezikuar qytetarët me importimin e peshkut me prezencë të krimbave.
Por nga AUV kishin reaguar asokohe ku thonin “se i sigurojnë qytetarët e Kosovës” se peshku në tregun e vendit tonë është i sigurt për konsum. E kjo çështje u ngrit në diskutim edhe tani, se si ishte lejuar të importohej ky peshk e mos të hiqej nga tregu fare- por prapë se prapë AUV thotë se peshku është i bllokuar në depon për asgjësim.
E pavarësisht këtij super-skandali Faton Peci që deri tani drejtoi ministrinë e Bujqësisë vendosi që thjesht ta publikoj veç një fotografi ku shihet i buzëqeshur./Lajmi.net/