AUV: Nuk është marrë vendim për mbylljen e “Vitës”, presim rezultatet laboratorike

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar lidhur me rastin e qumështores “Vita”, duke bërë të ditur se gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi, por se deri më tani nuk është marrë vendim për mbylljen e subjektit. Sipas AUV-së, gjatë kontrollit janë marrë mostra të qumështit UHT, qumështit…

Lajme

02/07/2026 21:50

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka reaguar lidhur me rastin e qumështores “Vita”, duke bërë të ditur se gjatë një inspektimi të jashtëzakonshëm janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi, por se deri më tani nuk është marrë vendim për mbylljen e subjektit.

Sipas AUV-së, gjatë kontrollit janë marrë mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës për analiza laboratorike, ndërsa janë verifikuar edhe dokumentacioni, objekti dhe linjat e prodhimit, transmeton lajmi.net.

Agjencia njofton se është konstatuar se operatori ka autorizim për përpunimin e qumështit, por në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me bazë qumështi duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, sipas AUV-së, subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash të qumështit për qëllimet e deklaruara në etiketim.

Megjithatë, Agjencia thekson se procedura ende nuk ka përfunduar.

“Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

AUV bëri të ditur se pas përfundimit të inspektimit subjektit i është lënë vendim për zbatimin e kërkesave të legjislacionit në fuqi dhe udhëzimeve të Ministrisë së Bujqësisë.

Në fund, Agjencia ritheksoi se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet, ndërsa veprimet e mëtejshme do të varen nga rezultatet e analizave laboratorike.

Komunikata e plotë: 

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), përmes inspektorëve të saj, ka realizuar një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e produkteve të qumështit, me qëllim verifikimin e përputhshmërisë së aktivitetit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore.
Gjatë inspektimit janë marrë mostra të qumështit UHT me afat të gjatë përdorimi, si dhe mostra të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.
Në bazë të verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.
Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme.
Gjithashtu, është konstatuar se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente.
Gjatë kontrollit janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike, rezultatet e të cilave do të shërbejnë për veprimet e mëtejshme administrative dhe ligjore.
AUV sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit. Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e legjislacionit në fuqi, përfshirë udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore.
AUV rithekson se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa çdo operator është i obliguar të veprojë në përputhje me ligjin. Rezultatet laboratorike dhe procedurat e mëtejshme do të përcaktojnë veprimet përfundimtare të autoriteteve kompetente./lajmi.net/