AUV njofton se kafja në Kosovë është e sigurt për t’u pirë, s’ka “akrilamidë” në të
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë. Ndërsa sot…
Lajme
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë para disa ditësh ka njoftuar opinionin se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me praninë e nivelit të lartë të akrilamidës në produktin kafe e bluar, me origjinë nga Kosova, të eksportuar në Republikën e Kroacisë.
Ndërsa sot AUV njoftoi se në përputhje me Planin Vjetor të Inspektimit dhe parimin e vlerësimit të riskut, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, përfshirë kontrolle dhe analiza laboratorike për të gjitha brendet e kafesë që përpunohen për konsum brenda vendit dhe për eksport nga Republika e Kosovës në vendet tjera.
“Sipas standardeve të sigurisë ushqimore, rezultatet e analizave në kafe kanë konfirmuar se nivelet e akrilamidës në të gjitha produktet e testuara janë nën kufirin maksimal të lejuar”,thuhet në njoftim.
Bazuar në këto rezultate, operatorët e bizneseve ushqimore mund të vazhdojnë tregtimin e kafesë.
AUV do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik./Lajmi.net/