AUV ndalon shitjen e produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësira publike në Ferizaj

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyra regjionale në Ferizaj, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e shitjes së produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësirat publike pranë tregut të gjelbër të qytetit. Gjatë një inspektimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, janë identifikuar raste të shumta të tregtimit të produkteve ushqimore në kushte…

Lajme

16/08/2025 18:10

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyra regjionale në Ferizaj, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e shitjes së produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësirat publike pranë tregut të gjelbër të qytetit.

Gjatë një inspektimi të përbashkët me Policinë e Kosovës, janë identifikuar raste të shumta të tregtimit të produkteve ushqimore në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare.

Sipas AUV-së, produktet si djathi, gjiza, qumështi i freskët dhe nënproduktet e tjera të qumështit janë ofruar për shitje në temperatura ambienti dhe në hapësira të pambrojtura, në kundërshtim të plotë me standardet ligjore për sigurinë ushqimore, raporton lajmi.net

“Produktet e qumështit duhet të ruhen dhe ekspozohen në kushte frigoriferike prej 0–6°C dhe të jenë të mbrojtura nga ndotja e jashtme”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, inspektorët kanë ndërmarrë veprime për largimin e produkteve të pasigurta nga tregu, si dhe ndalimin e menjëhershëm të shitjes në kushte të tilla. Për shitësit që nuk i respektojnë rregullat, parashihet konfiskimi dhe asgjësimi i produkteve, si dhe ndëshkime ligjore.

AUV i ka bërë apel qytetarëve që gjatë blerjeve të jenë të kujdesshëm dhe të blejnë vetëm produkte që ruhen në kushte të duhura dhe të kenë etiketim të qartë për origjinën dhe afatin e përdorimit.

Gjatë të njëjtit aksion kontrolli, është konstatuar edhe tregtim i paligjshëm i shpezëve në trotuaret përreth tregut. Kjo praktikë, sipas AUV-së, jo vetëm që pengon lëvizjen e këmbësorëve, por paraqet edhe rrezik për shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve bazë higjieno-sanitare.

“Shitja e shpezëve në trotuare është e ndaluar me Ligjin për Ushqimin, Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor”, thuhet në njoftim.

Inspektorët, në bashkëpunim me Policinë, kanë larguar menjëherë shpezët nga hapësirat publike, ndërsa paralajmërojnë se në rastet e përsëritura, do të pasojnë masa më të ashpra si konfiskimi dhe asgjësimi i kafshëve.

AUV rithekson përkushtimin për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për të garantuar standarde të larta të sigurisë ushqimore, përmes inspektimeve të vazhdueshme në gjithë territorin e vendit.

“Inspektorati veterinar do të veprojë në çdo rast të shitjes së paligjshme të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe kafshëve apo shpezëve në hapësira publike”, përfundon njoftimi.

Postimi i plotë:

Ndalohen shitjet e produkteve të bylmetit dhe shpezëve në hapësirën publike pranë tregut të gjelbër në Ferizaj
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), zyra regjionale në Ferizaj, përmes inspektorëve veterinarë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë kontrollit në tregun e gjelbërt në Ferizaj, kanë ndaluar shitjen e produkteve të bylmetit (djathë, gjizë, qumësht i freskët dhe nënprodukte të tjera) në hapësira të pa mbrojtura dhe në temperatura të ambientit.
Sipas legjislacionit, produktet e qumështit duhet të shiten në hapësira adekuate dhe të jenë me autorizim nga AUV. Duhet të ruhen dhe ekspozohen në shitje vetëm në kushte frigoriferike prej 0–6°C, duke qenë të mbrojtura nga ndotja e jashtme dhe kontaminimi. Shitja e tyre në kushte të papërshtatshme përbën shkelje serioze të standardeve higjieno-sanitare dhe paraqet rrezik për shëndetin publik.
Bazuar në Ligjin Nr. 08/L-120 Për Ushqim, inspektorët kanë ndërmarrë masa për largimin e produkteve të pasigurta nga tregu, si dhe kanë urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të shitjes së tyre në ato kushte. Për shitësit që nuk respektojnë këto rregulla do të konfiskohen e asgjësohen produktet dhe parashihet sanksionim ligjor.
AUV bënë apel tek qytetarët që gjatë blerjes të sigurohen se produktet e bylmetit ruhen në kushte frigoriferike dhe kanë etiketë të qartë për origjinën dhe afatin e përdorimit.
Ne mbetemi të përkushtuar që përmes inspektimeve të vazhdueshme të garantojmë ushqim të sigurt për konsumatorin dhe të mbrojmë shëndetin publik.
Gjithashtu gjatë kontrollit me zyrtarët policorë, është konstatuar se disa qytetarë po ushtronin aktivitetin e shitjes së shpezëve në mënyrë të kundërligjshme, duke bllokuar hapësirat e destinuara për lëvizjen e këmbësorëve dhe duke rrezikuar shëndetin publik për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare.
Në bazë të Ligjit për Ushqimin, Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit si dhe Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, shitja e produkteve ushqimore dhe shpezëve apo kafshëve në trotuar është e ndaluar. Inspektorët së bashku me zyrtarët policorë kanë ndërmarrë masat e nevojshme, duke i larguar shpezët nga hapësirat publike. Në rastet e përsëritura do të konfiskohen e asgjësohen shpezët dhe do të parashihen sanksionime ligjore.
Ky aktivitet inspektimi i përbashkët me zyrtarët policorë, ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e rendit publik, lirimin e hapësirave për lëvizjen e lirë të këmbësorëve dhe respektimin e standardeve ligjore në tregtimin e produkteve shtazore.
Inspektorati veterinarë i AUV do të vazhdojnë me kontrolla duke vepruar ne çdo rast të shitjes së paligjshme të produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe kafshëve apo shpezëve në hapësira publike do të sanksionohet sipas ligjit./Lajmi.net/