AUV-i tregon masat që ka marrë pasi në Shqipëri u raportua rasti i parë me gripin e shpendëve

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ka ngrit masatë e kontrollit për ngarkesat me produkte me origjinë shtazore, kafshë dhe shpezë të gjalla nga zona e Durrësit Shqipëri, pasi atje u konfirmua rasti i parë me gripin e shpendëve i njohur si H5N1. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se është në kontakt të…

Lajme

04/03/2025 16:04

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, ka ngrit masatë e kontrollit për ngarkesat me produkte me origjinë shtazore, kafshë dhe shpezë të gjalla nga zona e Durrësit Shqipëri, pasi atje u konfirmua rasti i parë me gripin e shpendëve i njohur si H5N1.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se është në kontakt të vazhdueshëm me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve të Shqipërisë për të marrë informacione të përditësuara mbi situatën zoonotike lidhur me prezencën e gripit të shpendëve, nën tipi H5N1.

Aktualisht, një fermë në afërsi të Durrësit është identifikuar si e prekur nga kjo sëmundje.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, AUV ka vendosur masa të menjëhershme të kontrollit kufitar. Inspektorët veterinarë kufitarë janë urdhëruar të kryejnë kontrolle të detajuara mbi ngarkesat me produkte ushqimore me origjinë shtazore, si dhe mbi kafshët apo shpendët e gjalla, duke zbatuar në përpikëri procedurat e kontrollit për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjes në vendin tonë”

“Për momentin, situata e gripit të shpendëve mbetet e kufizuar në një fermë të izoluar, ndërsa autoritetet shqiptare kanë marrë masa të menjëhershme për izolimin e zonës dhe ndalimin e qarkullimit të brendshëm. Nuk është vlerësuar e nevojshme vendosja e masave kufizuese për importin e përgjithshëm, pasi Kosova nuk ka import të shpendëve të gjalla nga kjo zonë. Aktualisht, rreziku i përhapjes së gripit H5N1 përmes importit mbetet i ulët. Megjithatë, AUV është në gjendje gatishmërie dhe do të përshtatë masat sipas zhvillimit të situatës”.

“Fermerët që mbajnë shpendë duhet të zbatojnë menjëherë masat e biosigurisë në fermat e tyre për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve (Avian Influenza). Përmes shoqatave përkatëse, të gjithë fermerët komercialë janë njoftuar për masat mbrojtëse të biosigurisë, të cilat janë thelbësore për mbrojtjen e shpendëve të tyre. Aktivizimi i sistemit të vetëkontrollit dhe zbatimi i masave të biosigurisë në fermë janë mënyrat më efikase për të përballuar këtë sëmundje”, thotë AUV.