Autostradë deri në Mitrovicë, me “garanci” amerikane – Pretendimet e Vuçiqit kalojnë në heshtje

Më shumë se dy javë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, zbardhi synimet e reja të tij – në Kosovë. Në një deklaratë publike, ai shprehu aspiratat për ndërtimin e një autostrade që lidh Serbinë me Kosovën, më saktësisht territorin serb me Mitrovicën. Madje, Vuçiq pretendoi të zgjatë projektin infrastrukturor, duke e lidhur autostradën edhe…

Lajme

20/05/2026 11:38

Më shumë se dy javë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, zbardhi synimet e reja të tij – në Kosovë.

Në një deklaratë publike, ai shprehu aspiratat për ndërtimin e një autostrade që lidh Serbinë me Kosovën, më saktësisht territorin serb me Mitrovicën.

Madje, Vuçiq pretendoi të zgjatë projektin infrastrukturor, duke e lidhur autostradën edhe përtej Mitrovicës.

Por, për të financuar dhe realizuar një projekt të tillë, Vuçiq kërkonte ndihmën e SHBA-së.

“Jemi të gatshëm të paguajmë për ndërtimin, pra 45 kilometra autostradë deri në Mitrovicë. Ne po paguajmë gjithçka, çmimin e plotë, vetëm që amerikanët të sigurohen që Prishtina të mos shkaktojë probleme për këtë çështje”, deklaroi ai.

Një pretendim i tillë serioz, fatkeqësisht, u tejkalua në heshtje.

Misionet diplomatike amerikane në Kosovë dhe Serbi janë deklaruar për këtë çështje.

Ambasada e SHBA-së në Kosovë e drejtoi gishtin kah ajo në Beograd. Ndërkaq, përfaqësia diplomatike amerikane në Beograd refuzoi të shprehë qëndrimet e saj.

“Nuk kemi asgjë për të thënë lidhur me këtë gjë!” deklaroi në formë të prerë, Ambasada e SHBA-së në Beograd.

Nga ana tjetër, indeksonline ka dy javë që ka kontaktuar edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të marrë një deklarim zyrtar mbi këto pretendime të Vuçiqit.

Por, as ekzekutivi nuk u përgjigj në pyetjet e ngritura mbi cenimin e sovranitetit të Republikës.

Kjo nuk është hera e parë që presidenti serb bën pretendime territoriale mbi Republikën e Kosovës.

Ai vazhdon të iluzionojë Kosovën si pjesë të Serbisë, teksa Republikën disa herë e kishte akuzuar se kinse po bën “spastrim etnik” ndaj serbëve.