Autostrada për në Shkup do ta rëndojë shumë buxhetin e 2015-ës

Kontrata për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit pritet të rëndojë në masë të madhe buxhetin e vitit 2015.

 

Lajme

25/09/2014 20:50

Një paralajmërim të tillë e ka dhënë menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, gjatë një interviste për KTV-në.

Ai ka bërë të ditur se situata nuk është fare e mirë as me buxhetin e këtij viti dhe një nga shkaqet që ka ndikuar në këtë zhvillim është ngërçi politik.

Skeptik është edhe për rritjen ekonomike për këtë vit. Madje, sipas tij, po të mos ishte rritja e zhvillimit të sektorit të bujqësisë, Kosova nuk do të mund të arrinte as 2 për qind të rritjes ekonomike.

Bombë sociale e ka quajtur papunësinë e madhe në vendin tonë, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që sa më shpejt të marrin vendime për të stabilizuar situatën në sektorin energjetik.