Autopsia e trupit të dizajnerit i dorëzohet prokurorisë: Festim Isufi raportohet se pati shtatë plagë në trup
Një ngjarje e rëndë ndodhi më 9 maj, në njërën prej banesave që ndodhet në një objekt banesor tek “Rruga B” në Prishtinë. Si fillim u raportua se viktima e këtij rasti është dizajneri kosovar, Festim Isufi- e që në fillim thuhej se i njëjti kishte tentuar të vrasë gruan e tij e më pas…

Lajme
Një ngjarje e rëndë ndodhi më 9 maj, në njërën prej banesave që ndodhet në një objekt banesor tek “Rruga B” në Prishtinë.
Si fillim u raportua se viktima e këtij rasti është dizajneri kosovar, Festim Isufi- e që në fillim thuhej se i njëjti kishte tentuar të vrasë gruan e tij e më pas veten.
Por shumë raportime u bën në lidhje me këtë ngjarje, që në fakt as sot nuk është sqaruar mjaftueshëm mirë nga autoritetet përgjegjëse.
Prej disa ditësh lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje nga Prokuroria e Prishtinës në lidhje me detajet që dihen për këtë ngjarje dhe se ku kanë arritur hetimet, port ë njëjtit nuk janë përgjigjur.
Por një gjë është bërë e ditur tanimë, se raporti i autopsisë për vdekjen e 34 vjeçarit ka përfunduar.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i cili ka thënë se raporti i është dorëzuar Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
“Mund të konfirmojmë se ka përfunduar raporti dhe është dorëzuar në Prokurori.”, tha Haliti shkurt.
E pikërisht rreth kësaj çështje në media tashmë po qarkullon një informacion sa i përket autopsisë. Emisioni “Kosova Live” i T7-s ka mësuar që sipas këtij raporti Isufi kishte shtatë plagë në trup.
“Fatale për të ishin plagët e shkaktuara në zonën e qafës që mësohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë – thikë”.
Hetimet në lidhje me rastin e Festim Isufit janë duke vazhduar derisa ishte theksuar se bashkëshortja e të ndjerit, Rina Maloku u intervistua disa herë radhazi.
E në publik janë bërë aludime të ndryshme për përfshirjen e gruas së tij në këtë rast.
Rina si fillim pas daljes nga banesa kishte kërkuar ndihmë në një ordinancë stomatologjike tek ky objekt banesor.
Pas kësaj e njëjta me plagë në duar ishte drejtuar drejt QKUK-së ku edhe mori mjekimin e nevojshëm. Ajo pastaj u pa edhe në varrimin e burrit të saj, derisa siç raportohet nga familja e Festimit nuk kanë komunikuar më me të pasi janë në pritje të informacioneve zyrtare në lidhje me vdekjen e dyshimtë të tij./Lajmi.net/