Autobusë modernë me 8 milionë
Isa Mustafa premtoi se vitin e parë do të shpenzojë 2 milionë euro, ndërsa në 4 vjetët e ardhshme do të shpenzohen gjithsej 8 milionë euro për trafikun urban.
Lajme
Kandidati i LDK’së për Kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, sot prezantoi programin e tij për trafikun urban. Ai parasheh që në 4 vjetët e ardhshme të shpenzojë 8 milionë euro për blerjen e autobusëve modernë si subvencionimin e biletave falas për disa kategori, duke përfshirë fëmijët, pensionistët, policët dhe disa kategori të tjera.
“Kemi planifikuar subvencionimin e biletave falas për një pjesë të udhëtarëve, fëmijët deri në 6 vjeç nuk do të paguajnë bileta, nuk do të paguajnë bileta as personat me aftësi të kufizuara, nuk do të paguhen biletat nga asnjë qytetar Ditën e Pavarësisë më 17 Shkurt, ndërsa shpenzimet do t’i paguajë Komuna dhe kompania”.
“Transporti publik në Prishtinë do të jetë falas edhe për zyrtarët policorë dhe ata ushtarakë në detyrë, për invalidët e luftës dhe pensionistët. Kjo do të jetë një barrë të cilën do ta subvencionojmë nëpërmes buxhetit të komunës. Transporti do të jetë për 50% më i lirë për veteranët e luftës, për familjarët e dëshmorëve, për fëmijët e tyre nga 6 deri në 12 dhe për studentët”.
Mustafa tha se në bashkëpunim me USAID, do të përmirësojnë transportin publik, duke përdorur vetëm autobusë modernë që do të kenë sistemin elektronik të biletave.
“Kemi punuar me USAID’in në një projekt që lidhet me trafikun urban, i cili synon përmirësimin e transportit publik përmes përdorimit të autobusëve modern, aplikimin e sistemit elektronik të biletave- për transport publik të integruar, aplikimi i kostos së përballueshme të biletave për qytetarët, integrimin e transportit publik me transportin hekurudhor dhe taksitë”.
“Kemi marrë vendim që të subvencionojmë një pjesë të karburanteve në trafikun urban dhe kemi zgjedh një Këshill të drejtorëve të cilët janë shumë të përgjegjshëm dhe po bëjnë një punë të shkëlqyeshme atje. Plani ynë do të mundësojë më pak automjete në qytet dhe do të kemi një rregull shumë të mirë të autobusëve të udhëtarëve për t’i pakësuar automjetet”, tha Mustafa.
Sipas programit të Isa Mustafës, në Prishtinë do të ketë 12 linja në zonën urbane, ndërsa 16 linja në zona periferike. Në qytet autobusët urbanë në pikën e ditës do të qarkullojnë çdo 10 minuta, ndërsa gjatë orëve të tjera të ditës çdo 15 deri në 30 minuta. Ndërsa në zonat periferike qarkullimi urban do të jetë çdo 1 orë.