Australi, zhytje në akull (Video)
Një numër rekord guximtarësh janë zhytur të zhveshur në ujërat e akullta të lumit Derwent, në Tasmani, me të gdhirë dita e mërkurë, për atë që njihet si kredhja e përvitshme e solsticit.
Fun
Në ngjarjen e këtij viti morën pjesë 1.000 vetë më shumë sesa herën e kaluar. Zhytja në ujërat e Derwentit është mënyra sesi e ka kremtuar, në rrjedhën e kohës, komuniteti i zonës rikthimin e ditës pas natës më të gjatë.
Pjesëmarrja ishte shumë më e lartë nga sa parashikohej, e kjo bëri që një pjesë e personave të mbeteshin pa peshqirin e siguruar nga organizatorët, shkruan Top Channel.
Temperatura e ujit, sipas Byrosë Meteorologjike australiane ishte 14 gradë Celsius, ndërsa ajo e ajrit rreth 11 gradë.
“Ooh, ishte shumë ftohtë”, tha një pjesëmarrës.
“Ngrimë, çfarë të them”, deklaroi një tjetër.
“Mënyra më e mirë për ta rinisur vitin”, u shpreh njëri prej zhytësve.
Në Britani, ndërkohë, mënyra e zgjedhur për të shënuar solsticin e verës ishte më pak e mundimshme. Mijëra vetë u mblodhën rreth monumentit të lashtë “Stonehenge” për ta kremtuar këtë ditë, duke e parë nga aty lindjen e diellit. /Lajmi.net/