​Auditori gjen parregullsi në ndërmarrjet publike: Kemi drejtuar informacion në Prokurori për 11 raste që lidhen me parregullsi

Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, ka ngritur shqetësime për gjendjen në ndërmarrjet publike, duke veçuar ndërmarrjen “Trepça” si njërën nga më problematiket. Në një konferencë për media të premten, më 4 korrik, ajo ka theksuar se janë hasur shkelje ligjore, dështime menaxheriale dhe keqpërdorime të theksuara. Sipas saj, kjo njësi…

Lajme

04/07/2025 13:57

Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit, Vlora Spanca, ka ngritur shqetësime për gjendjen në ndërmarrjet publike, duke veçuar ndërmarrjen “Trepça” si njërën nga më problematiket.

Në një konferencë për media të premten, më 4 korrik, ajo ka theksuar se janë hasur shkelje ligjore, dështime menaxheriale dhe keqpërdorime të theksuara.

Sipas saj, kjo njësi ka akumuluar borxhe tatimore që nga viti 2020 në vlerë prej 14 milionë euro, përfshirë interesat dhe ndëshkimet. Duke shtuar se për rreth 104 punonjës në njësinë e Leposaviqit nuk është bërë deklarimi në Administratën Tatimore të Kosovës për shkak të mungesës së dokumentacionit.

“Nëse krahasojmë ndërmarrjet publike, një gjendje më e rënduar është vërejtur tek ndërmarrja publike Trepça. Bordi Mbikëqyrës i Trepçës nuk ka arritur t’i ushtrojë kompetencat e veta në të gjitha njësitë biznesore të Ndërmarrjes. Njësia Biznesore, minierat në Flotacion Kopaonit Leposaviq nga aspekti organizativ, rregullativ dhe financiar ka operuar jo në përputhje të plotë me kornizën ligjore, ndërmarrja nuk ka kryer pagesat për tatimin në paga dhe kontribute që nga viti 2020 duke akumuluar detyrime për prej 14 milionë euro, përfshirë interesa dhe ndëshkime. Po ashtu, përreth 104 punonjës në njësinë e Leposaviq nuk është bërë deklarimi në Administratën Tatimore të Kosovës për shkak të mungesës së dokumentacionit. Ndërmarrja kishte lidhur kontratë në vlerë prej 773 mijë euro me një operator ekonomik të palicencuar për tregtim të derivateve. Po ashtu, kontrata ishte nënshkruar vetëm nga drejtori për Blerje dhe Shitje dhe drejtori i Shërbimeve Financiare, ndërkohë që sipas Ligjit për Prokurimin Publik, nënshkrimi duhet të bëjë nga kryeshefi ekzekutiv apo nga zyrtari kryesor administrativ i ndërmarrjes”, ka nënvizuar Spanca.

Spanca gjithashtu ka bërë të ditur se Korporata Energjetike e Kosovës dhe KOSTT kanë lidhur kontrata me auditorë privatë për auditim financiar të vitit 2024, pavarësisht se ishin njoftuar se këto ndërmarrje do të jenë subjekt i auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Ndër çështjet kryesore, të cilat kanë ndikuar në konfuzionin e pajtueshmërisë, janë mangësi në procesin e regjistrimit dhe ristrukturimit të ndërmarrjes dhe mospërcaktimi i kritereve për pozitat që konsiderohen të rëndësisë së veçantë me rastin e aplikimit të pakos për dalje vullnetare nga puna, angazhimi i shërbimeve të auditimit nga auditori privat, përkundër faktit se ndërmarrja ishte subjekt i Auditimit në Zyrën Kombëtare të Auditimit, që do të thotë që pavarësisht që ne i kemi njoftuar në përputhje me kornizën ligjore para datës 30 shtator se ndërmarrjet publike do të jenë pjesë e planit auditues, auditimi i pasqyrave vjetore financiare për vitin 2024 do të kryhet nga Zyra Kombëtare e Auditimit, me atë se jam në njohuri Korporata Energjetike e Kosovës dhe KOSTT ka lidhur kontrata për shërbime të auditimit me kontraktorin privat. Përdorimi i procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë ishte evidente, si dhe mangësi gjatë procesit të vendosjes së kritereve në dosjet e tenderit”, ka thënë Spanca.

Auditorja Spanca konfirmoi se deri në muajin qershor janë dërguar 11 raste në Prokurorinë e Shtetit, të cilat lidhen me shkelje të identifikuara gjatë auditimeve të performancës në sezonin 2024/2025.

“Sa i përket rasteve të cilat i kemi adresuar në Prokurori deri në muajin qershor 2025 për sezonin e auditimit 2024/2025 kemi drejtuar informacion në Prokurorinë e Shtetit për gjithsej 11 raste që lidhen me parregullsi të evidentuara në kuadër të raporteve të auditimit të performancës, të cilat i kemi publikuar. Për raportet e tjera të publikuara, jemi në proces të analizës për identifikimin dhe adresimin e çështjeve me elemente të mundshme të veprave penale për këtë sezon audituese, për të cilat do të njoftoheni…Janë tri raporte të auditimit të performancës. Është raporti që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit në Komunën e Prishtinës, rehabilitimi e infrastrukturës hekurudhore, linja dhjetë, si dhe raporti i auditimit që ka të bëjë me kompaninë e menaxhimit të mbeturinave apo deponive, KMDK-ja. Po ashtu është edhe një rast i cili është identifikuar gjatë auditimit në një prej ndërmarrjeve publike, e cila nuk ka qenë në fushëveprimin e auditimit, por që ne e kemi vlerësuar se është në interes të vendit që të trajtohet dhe të hetohet çështja më tutje”, ka shtuar Spanca.

Derisa, Spanca ka ftuar kryesuesit e institucioneve publike, ministrat, kryetarët e komunave që rekomandimet e dhëna t’i pranojnë si një kontribut serioz, me qëllimin kryesor përmirësimin e proceseve, aktiviteteve dhe operacioneve të organizatave të tyre.