Atletico mund ta fitojë titullin

Diego Costa është i bindur se Atletico Madridi mund ta fitojë titullin e kampionit në La Liga këtë sezon. Sulmuesi brazilian thotë se është i gatshëm për t’u kthyer në aksion, pas lëndimit të pësuar së fundmi.

Sport

18/04/2014 18:13

Diego Costa beson se Atletico Madrid është një skuadër që i posedon ato që i nevojiten, për ta fituar titullin e kampionit në La Liga.

Atleti e udhëheq kampionatin spanjoll vetëm pesë xhiro pa përfunduar sezoni, duke u renditur tri pikë përpara Real Madridit dhe katër larg Barcelonës, para përballjes së të premtes mbrëma ndaj Elche.

“Ky është një muaj kyç. Ne e dimë se çka duhet të bëjmë. Ekipi e ka mentalitetin, vendosmërinë dhe bindjen. Është mjaft e rëndësishme dhe ne do të japim gjithçka. Në shtëpi, me këtë tifozeri të zjarrtë, jemi mjaft të fuqishëm”, deklaroi sulmuesi brazilian me pasaportë spanjolle.

Sulmuesi i cili ka realizuar 26 gola këtë sezon, është i gatshëm të rikthehet në aksion, pas lëndimit të pësuar.

“Jam mirë. E vërteta është se isha i frikësuar dhe e falënderoj Zotin që nuk ka ndodhur asgjë. Jam i uritur të luaj”, përfundoi Costa.