ATK e konfirmon se bizneset detyrohen që të shkojnë krejt në Pejë për arkat fiskale- “Enternet” thonë se patën humbje, u desh t’i largonin 80% të stafit

Biznese të shumta kanë alarmuar përgjatë kohëve të fundit në lidhje me një krizë nëpër të cilën po kalojnë, e që po ndikon direkt në funksionimin e veprimtarisë së tyre të përditshme. Arkat fiskale nuk po mund të servisohen askund tjetër, përveçse në Pejë. Udhëzimi i ri Administrativ për arkat fiskale, që u nënshkrua nga…

Lajme

01/07/2025 20:17

Biznese të shumta kanë alarmuar përgjatë kohëve të fundit në lidhje me një krizë nëpër të cilën po kalojnë, e që po ndikon direkt në funksionimin e veprimtarisë së tyre të përditshme.

Arkat fiskale nuk po mund të servisohen askund tjetër, përveçse në Pejë.

Udhëzimi i ri Administrativ për arkat fiskale, që u nënshkrua nga ministri në largim Hekuran Murati, në ditën e dorëheqjes së tij nga ky post, po vazhdon të shkaktojë pasoja tek bizneset.

Pra, me mijëra biznese nga të gjitha anët e Kosovës detyrohen që të udhëtojnë drejt Pejës për një proces që dikur ka zgjatur vetëm pak minuta dhe bëhej në qendrat përkatëse të tyre.

Përpos kostos së shtuar financiare, pritjet zgjasin me ditë të tëra, e gjatë kësaj shumë biznese “paralizohen” në pamundësi për të lëshuar kuponë fiskalë, duke rrezikuar edhe ndëshkime ligjore.

Në lidhje me këtë nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë deklaruar për lajmi.net se ky udhëzim administrativ është në fuqi dhe duke u zbatuar nga të gjitha palët, që janë të obliguara ta zbatojnë.

Sipas ATK-së, thuhet se tanimë janë njoftuar nga operatorët ekonomik se kanë reduktuar përkohësisht kapacitetin operativ, por nuk e kanë ndërprerë tërësisht shitjen dhe servisimin e pajisjeve elektronike fiskale.

“Në bazë të informatave që ne i kemi aktualisht zyrat e hapura janë vetëm në Pejë. Një pjesë e shërbimeve ofrohen edhe online nga OE, që e lehtëson punën dhe e shkurton kohën e Tatimpaguesit dhe vetë operatorët ekonomik”,thuhet tutje në përgjigjen e ATK-së.

Sipas ATK-së, çdo tatimpagues i cili ka nevojë për shërbime rreth pajisjeve elektronike fiskale, duhet të kontaktojë përfaqësuesit e operatorëve ekonomik dhe të kërkojnë ofrimin e shërbimit.

“Operatorët ekonomik janë duke ofruar shërbimet ndaj tatimpaguesve pasi janë të obliguar ligjërisht, por me staf dhe me zyre të reduktuara”,theksohet tutje.

E në lidhje me këtë situatë të krijuar para disa ditëve kanë reaguar edhe nga kompania “Enternet”, kompani kjo e cila trashëgoi shërbimet e “GeKos”, ka mbyllur të gjitha përfaqësitë e saj të shërbimit në Kosovë, përveç pikës e cila gjendet në Pejë.

Në një sqarim të dhënë ditë më parë, kompania “Enternet SH.P.K bëri të ditur se si operatorë u është ndaluar shitja e arkave fiskale dhe ofrimi i shërbimeve për këtë sektor.

“Ky Udhëzim Administrativ ka shkaktuar rënien e të hyrave të kompanisë tonë, por edhe kompanive të tjera të licencuara deri në 80 për qind! I njëjti vendim, është marrë në kohën kur neve si kompani, na është vazhduar licenca e operimit deri në vitin 2028 dhe për të kaluar në këtë procedurë jemi detyruar të përmbushim shumë kërkesa dhe shpenzime, deri të rritja e stoqeve dhe programeve të reja që kapin vlerën prej 2.5 milionë euro. Me këto shpenzime që jemi obliguar t’i kemi dhe me ndërprerjen e punës pa paralajmërim dhe pa sqarime dhe kohë të nevojshme, ne kemi pësuar humbje të madhe financiare, praktikisht jemi kthyer në pikën zero. Dhe jo vetëm ne, por edhe bizneset, të cilat sot përballen me pengesa operimi me arka fiskale për shkak të këtij vendimi dhe në të njëjtën kohë, nuk është funksionalizuar asnjë sistem i ri dhe nuk ka asnjë informacion se si do të raportojnë bizneset në ATK për të hyrat e tyre”, u tha tutje.

Sipas kompanisë, kjo situatë do të ketë pasojë zinxhirore, jo vetëm për ta- por deri në të hyrat e shtetit.

“Për fat të keq ne jemi të detyruar që pa dëshirën tonë të marrim vendimin e largimit nga puna të mbi 80% të punëtorëve. Në anën tjetër është e habitshme se si është marrë ky vendim i cili tash më po e rrezikon shkatërrimin e një sistemi të ndërtuar me shumë kujdes, angazhim e mund nga shume njerëz (ekspertë vendor e të huaj). Sistemi i fiskalizimit është përcjellur edhe me investime të mëdha nëpër faza të ndryshme te zhvillimit e deri në ditët e sotme, ku janë investuar disa miliona euro! Rrjedhimisht mund të vijmë në përfundim se ky vendim përveq konfuzionit të krijuar te bizneset kosovare, tash më e ka hapur mundësinë edhe krijimit të një evazioni fiskal I cili automatikisht reflekton me rënien e të hyrave të buxhetit të shtetit”.

“Pra, Enternet është detyruar që të mbyllë pikat e shitjes për shkak se na është ndaluar puna, na është ndaluar shitja e arkave fiskale dhe ofrimi i shërbimeve nga vendimi i njëanshëm i Ministrisë së Financave.  Megjithatë, për t’iu shërbyer bizneseve edhe në këtë kohë, përkundër shkurtimit të stafit dhe rënies totale të të hyrave, ne dhe operatorët si ne po operojmë në pikën e vetme të shitjes në Pejë dhe në çdo rast jemi munduar dhe po angazhohemi që t’u dalim në ndihmë çdo biznesi që ka nevojë për shërbimet tona”.

E në lidhje me gjithë këtë bllokadë të krijuar në kuadër të shërbimeve për arkat fiskale, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ditë më parë vetëm shpërndau një publikim të ATK-së, ku njoftohej për aplikim të kompanive sipas sistemit të ri për arkat fiskale digjitale.

“ATK tashmë ka hapur thirrjen për kompanitë e interesuara të ofrojnë Softver Elektronik Fiskal – sipas sistemit të ri për arkat fiskale digjitale”,thuhej në reagim.

Kësisoj situate e krijuar tanimë nuk kishe ndodhur ndonjëherë më parë, pasi nga kompania përgjegjëse kishin operuar së paku në 7 lokacione të ndryshme nëpër Kosovë.

E tani, qytetarëve të shumtë (drejtues të bizneseve) u duhet që të udhëtojnë kilometra të shumta e të bëjnë shpenzime shtesë në lidhje me këtë problematik që lidhet me arkat fiskale.

Hyrja në fuqi e Udhëzimit të ri Administrativ nga ministri Hekuran Murati është kritikuar edhe nga njohës të fushës së ekonomisë, të cilët e kanë konsideruar këtë vendim si të ngutshëm.

Në procesin e fiskalizimit të arkave dixhitale, Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës nuk ka qenë as transparente me opinionin por as me bizneset, të cilët tashmë janë në një udhëkryq nëse duhet të blejnë arka fiskale apo jo.

Gjithashtu, boshllëku që është krijuar nga Udhëzimi i ri Administrativ, po krijon edhe mundësi të evazionit fiskal nga ana e bizneseve./Lajmi.net/