Asociacionin e kemi te dera: Cilat janë opsionet që kemi përpara?

Çdo suksesi të qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë duhet t’i gëzohemi, sigurisht kur zgjidhjet janë të drejta si kjo për pranimin e letërnjoftimeve të Kosovës nga ana e Serbisë pa dokumente shtesë dhe rrjedhimisht mos futjen në fuqi të masave të njëjta nga ana e Kosovës. Sidoqoftë ende jemi në kornizat e zbatimit…

Opinion

27/08/2022 22:53

Çdo suksesi të qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë duhet t’i gëzohemi, sigurisht kur zgjidhjet janë të drejta si kjo për pranimin e letërnjoftimeve të Kosovës nga ana e Serbisë pa dokumente shtesë dhe rrjedhimisht mos futjen në fuqi të masave të njëjta nga ana e Kosovës. Sidoqoftë ende jemi në kornizat e zbatimit të marrëveshjeve prej dialogut teknik të së kaluarës (përfshirë çështjen e targave).

Shkruan: Valon Murati

Prej fillimit e kam konsideruar se është rrugë krejtësisht e gabuar marrja me tema të vogla, edhe nëse në ndonjërën prej tyre shënojnë ndonjë fitore, por duhet të insistohet në bisedime serioze politike për marrëveshjen finale. Por duke qenë se Kryeministri Kurti e ka ndjekur deri tani rrugën e bisedimeve teknike, dhe për më tepër zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, tani në rend të ditës do të vijnë edhe temat e rënda politike për Kosovën, e sidomos ajo e zbatimit të marrëveshjes së asociacionit. Këtë e paralajmëroi edhe emisari special i SHBA-ve Eskobari dhe si duket këtë çështje e ka negociuar Vuçiqi më së shumti këto ditë me emisarët ndërkombëtar.

Tani Kosova, përkatësisht qeveria dhe kryeministri Kurti kanë disa rrugë. E para (të cilën e favorizojnë edhe partitë opozitare) është përpjekja për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e asociacionit të komunave serbe bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Ky variant ka gjasa të përkrahet edhe nga bashkësia ndërkombëtare por kjo nuk do të nënkuptonte as marrëveshje finale e as njohje nga Serbia. Thjeshtë bisedimet për marrëveshjen finale vazhdojnë. Serbia përqendron kërkesat për status special autonom për veriun. Këtë variant kryeministri Kurti e refuzon. Varianti tjetër është që Kosova të kërkojë bisedime politike për marrëveshje finale me atë që thotë Kryeministri “njohjen në qendër” (diçka e prezantuar nga ai në gjashtë pikat takimit të fundit në Bruksel). Ka gjasa që nëse do të vinte njohja nga Serbia, edhe kryeministri Kurti do të pranonte themelimin e asociacionit. Në këtë variant Serbia e refuzon qasjen dhe insiston në asociacionin si hapi i parë për normalizimin e marrëdhënieve. Në të dy këto variante bisedimet dështojnë dhe gjasat që presioni ndërkombëtar të bie mbi Kosovën është i madh, sidomos për shkak të kërkesës për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin.

Presioni mund të çojë deri në rënie të qeverisë, sidomos nëse nuk kemi një qasje ofensive të kryeministrit për të ofruar zgjidhje të tjera me Serbinë. Një rënie e tillë e qeverisë duke refuzuar zgjidhje që vërtet mund të jenë problematike për Kosovën mund ta shndërrojnë kryeministrin Kurti në një hero populist, por mungesa e ofrimit të alternativave politike një politikan dhe lider që mendon për vota por jo edhe për zgjidhjen e problemeve. Sidoqoftë gjasat do të ishin të mëdha që në një situatë të tillë prapë të futemi në një cikël qeverish të dobëta dhe mos stabiliteti politik. Asociacioni në të gjitha variantet e tij, ndonëse marrëveshje e nënshkruar nga Kosova është varianti që do ta dëmtonte jashtëzakonisht shumë funksionalitetin e Kosovës. Por për këtë kërkohet dalje nga skemat e deritanishme të bisedimeve dhe mendësisë politike të zgjidhjeve të problemeve me Serbisë dhe të veprohet jo vetëm me kreativitet por edhe me guxim dhe drejtësi.

E këtë e mundëson vetëm varianti i tretë. Në këtë variant Kosova dhe qeveria Kurti duhet të kërkojë marrëveshje finale, por jo me njohjen në qendër, por me reciprocitetin në qendër: zgjidhjet për veriun e Kosovës të vlejnë edhe për Kosovën Lindore. Kjo do të nënkuptonte një qasje serioze të qeverisë sonë dhe punë po ashtu serioze sidomos me amerikanët për t’u shpjeguar për vendosmërinë që kemi për një zgjidhje finale të drejtë me Serbinë, duke qenë se ata në vitin 2018 edhe e hapën mundësinë e zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes ripërcaktimit të kufijve.

Parimi i reciprocitetit në mes të Kosovës Lindore dhe veriut të Kosovës në fund do të dërgonte domosdo në ripërcaktimin e kufijve si zgjidhja më e mirë e problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe këtë variant, duke qenë se jo vetëm e ka kundërshtuar publikisht, por edhe nuk e trajton si zgjidhje populiste, kryeministri nuk do ta shtyjë përpara, duke lëshuar një mundësi të artë që me legjitimitetin dhe forcën politike që ka t’ia heq Kosovës një barrë të rëndë nga shpina në njërën anë dhe ta zgjidh edhe problemin e shqiptarëve të Kosovës Lindore në anën tjetër. Në këtë kontekst, muaj të rëndë politik po na presin, muaj që mund të përcaktojnë edhe të ardhmen e Kosovës por edhe të dridhin skenën politike në vend.