Asnjë panel në fushë: Çfarë po ndodh me parkun diellor milionësh në Rahovec?

Katër kompani u zotuan se do të investojnë 70 milionë euro, në një park solar në Rahovec, për të prodhuar deri në 100 megavatë energji elektrike për Kosovën. Por, deri më tani, në terren nuk ka asnjë shenjë të projektit. Dy vjet pasi firmat nga Zvicra, Gjermania dhe Kosova e fituan ankandin e parë diellor…

Lajme

07/04/2026 17:00

Katër kompani u zotuan se do të investojnë 70 milionë euro, në një park solar në Rahovec, për të prodhuar deri në 100 megavatë energji elektrike për Kosovën. Por, deri më tani, në terren nuk ka asnjë shenjë të projektit.

Dy vjet pasi firmat nga Zvicra, Gjermania dhe Kosova e fituan ankandin e parë diellor në Kosovë, punimet ende nuk kanë nisur.

Parku solar parashihet të ndërtohet në një hapësirë prej 117 hektarësh në fshatrat Kramovik dhe Petkoviq, i njohur edhe si Guri i Kuq – ndërsa rryma e prodhuar nga dielli t’i shitet Kosovës për 48 euro e 88 centë për megavat në orë.

Cfarë po ndodh me projektin?

Pasi fitoi ankandin në marsin e 2024-tës, konsorciumi Lindja Solar, i përbërë nga kompanitë Groupe Orllati, Holdigaz SA, ZPV dhe Jaha Solar nënshkroi në maj të atij viti edhe një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë për ta zhvilluar projektin.

Ministria i tha REL-it se projekti është në fazën e fundit përgatitore para se të nis puna në terren, dhe se po finalizohet kontrata për inxhinieri, prokurim dhe ndërtim të parkut diellor.

Komuna e Rahovecit i ka kryer qysh në fillim procedurat që toka t’i jepet në shfrytëzim investitorit për 34 vjet.

“Ne i kemi përshpejtuar hapat, pra nuk e kemi vonuar investitorin potencial, dhe të gjithë dokumentacionin çfarë është kërkuar nga komuna ne e kemi kryer brenda një afati optimal, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Por, çfarë afatesh ka për këtë projekt?

Ministria tha se, sipas marrëveshjes, prodhimi i energjisë nga parku duhet të nis në nëntor të 2026-tës. Marrëveshja parasheh, po ashtu edhe mekanizma penalizues për çdo muaj vonesë, deri në afatin përfundimtar: majin e 2027-tës.

Qeveria e Kosovës ka një garanci bankare prej 7.5 milionë eurosh nga Lindja Solar.

Dështimi eventual i këtij parku solar, sipas njohësve të energjetikës, do të ndikonte negativisht tek investitorët e tjerë që synojnë të vijnë në Kosovë.

“Unë nuk besoj që Qeveria do t’i marrë ato 7.5 milionë euro, por ndoshta do të shkojmë apet në gjykata të abritrazhit dhe përsëri ne do të paguajmë. Përndryshe, në terme më të gjera, ky do të ishte një sinjal shumë i rëndë, shumë i keq, shumë i pafavorshëm për klimën e investimeve në Republikën e Kosovës”, ka thënë Adhurim Haxhimusa, ekspert i energjisë elektrike.

Pse u vonua ndërtimi i parkut solar?

Kryetari i Rahovecit pretendon se ka mosmarrëveshje midis kompanive që, sipas tij, e kanë vonuar për gati dy vjet nisjen e punimeve në teren.

“Me gjasë ka pasur një një paqartësi brenda konsorciumit. Pata biseduar më herët me të (pronarin e Groupe Orllati), më kishte thënë që për dy muaj e gjysmë duhej t’i niste punimet, që i bie diku nga maji i 2026-tës mos po fillon. E nëse ia fillon, ai ka thënë se për një vit e përfundon”, ka thënë Latifi.

Groupe Orllati, kompania zvicerane e një shqiptari nga Rahoveci, nuk iu përgjigj REL-it në lidhje me këtë, ashtu sikurse tri kompanitë tjera pjesë e Lindja Solar.

Parku diellor në Rahovec, parashihet të jetë i pari i tillë për shtetin.

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ai do të ketë potencial që të ofroj rrymë për 20 mijë shtëpi. E derisa Kosova po e pret atë, energjia elektrike në vend paralajmërohet se do të shtrenjtohet nga maji, për shkak të kufizimit të prodhimit vendës dhe rritjes së varësisë nga importi. REL