Ashton nis darkën me Thaçin e Dacicin

Pas takimeve të ndara me Kryeministrat Ivica Dacic e Hashim Thaçi, Baronesha Catherine Ashton ka nisur takimin e përbashkët me ta. Në këtë raund të Dialogut Prishtinë-Beograd do të diskutohet për zbatimin e pikave të pazbatuara të Marrëveshjes së Brukselit.

Lajme

27/01/2014 19:30

Takimi i përbashkët mes Përfaqësueses së Lartë BE’së, Catherine Ashton, dhe Kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, ka filluar sonte në orën 19:45 në Bruksel.

Maja Kocijancic, Zëdhënësja e Catherine Ashton, ka bërë të ditur se në takim janë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic dhe ZëvendësKryeministri Aleksandar Vucic.

Në këtë raund të Dialogut Prishtinë-Beograd, i pari për këtë vit, është thënë se do të diskutohet për zbatimin e pikave të pazbatuara të Marrëveshjes së 19 Prillit.

Para takimit, Kryeministri Thaçi ka deklaruar se pret që të arrihen marrëveshje konkrete të dala nga Marrëveshja e Brukselit.

________________________________

 

Pret arritje të marrëveshjeve konkrete

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në prag të takimit ka thënë se në raundin e sotëm të Dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel, pritet të arrihen marrëveshje konkrete të dala nga Marrëveshja e Brukselit.

“Do të diskutojmë, para se gjithash, për vendosjen e një sistemi funksional të drejtësisë. Presim zbatim efikas të Marrëveshjes së Brukselit, pas zgjedhjeve lokale”, është shprehur Thaçi.

I pyetur që të komentojë fillimin e bisedimeve për integrimin e Serbisë në BE, Kryeministri i Kosovës ka thënë se shpreson që Kosova dhe Serbia së shpejti të pranohen në BE dhe NATO si dy shtete të pavarura.

Takimi në mes të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic dhe Përfaqësues së Lartë të BE’së, Catherine Ashton, ka filluar një orë më vonë, për arsye të angazhimeve të më hershme të Baroneshës.

Burime të agjencisë së Lajmeve Tanjug brenda BE’së kanë bërë të ditur se takimi trepalësh Thaçi-Dacic-Ashton nuk pritet të fillojë para orës 20:00

________________________________

 

Ashton nis takimet në Bruksel

 

Kanë filluar në Bruksel takimet e ndara të Përfaqësuesues së Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, me Kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Delegacioni i Serbisë, i përbërë nga Kryeministri Ivica Dacic dhe ZëvendësKryeministri Aleksandar Vucic, ka nisur i pari takimin me Baroneshën Ashton, në orën 17:00.

Ndërsa, Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, ka filluar takimin me Ashton në orën 18:00.

Me pas, Zëdhënësja e Baroneshës Ashton, Maja Kocijancic, ka deklaruar për B92 se do të fillojë takimi trepalësh, një darkë e përbashkët, në të cilën do të diskutohet për zbatimin Marrëveshjes së Brukselit.

“Është shënuar përparim, mirëpo ende ka çështje të hapura. Në takimin e sotëm do të diskutohet për këto çështje që vazhdojnë të mbesin të hapura”, ka thënë Kocijancic.

Dacic kishte deklaruar më herët se gjatë takimit të 21’të do të diskutohet lidhur me problemet që kanë të bëjnë Gjyqësorin dhe konstituimin Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.