Ashton lavdëron zgjedhjet, pret me padurim krijimin e qeverisë së re

Komisarja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ashton, në një deklaratë për medie ka lavdëruar zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë dhe ka theksuar se BE-ja vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane të vendit tonë. 

Lajme

09/06/2014 19:33

Ajo ka uruar para së gjithash qytetarët të cilët kanë votuar të dielën.

“Ne urojmë votuesit për pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme legjislative që u mbajtën më 8 qershor në Kosovë. Këto zgjedhje janë një hap përpara në konsolidimin e demokracisë së Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Ashton ka falënderuar kryevëzhguesin Roberto Gualtieri dhe misionin vëzhgues të BE-së (MVE) për punën e tyre dhe për deklaratën preliminare të lëshuar sot.

“Vlerësimi i MVE-së konfirmon që zgjedhjet janë mbajtur në mënyrë të rregullt”, ka thënë Ashton, ndërsa ka falënderuar edhe OSBE-në për përkrahje.

“Tani presim me padurim krijimin sa më të shpejtë të qeverisë, e cila do të vazhdojë punën në të gjitha sfidat kryesore, përfshirë reformat ekonomike, përpjekjet për të përmirësuar sundimin e ligjit si dhe vazhdimin e zbatimit të Marrëveshjes së prillit 2013, e cila rrjedh nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë”, citohet të ketë thënë Ashton.

Në fund, Ashton ka thënë se BE mbetet plotësisht e angazhuar për perspektivën evropiane të bvendit tonë dhe se do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Kosovës në këtë drejtim.