Më pak se dy javë fushatë elektorale, partitë politike gjobiten me 125 mijë euro- Thyen rregullat zgjedhore

Fushata e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka filluar zyrtarisht më 11 janar, fushatë kjo në të cilën subjektet i shpalosin projektet dhe premtimet e tyre karshi qytetarëve. Zgjedhjet e 9 shkurtit llogariten edhe si zgjedhjet e para të rregullta që nga pavarësia e shtetit të Kosovës, për shkak të përfundimit të…

Lajme

21/01/2025 14:06

Fushata e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka filluar zyrtarisht më 11 janar, fushatë kjo në të cilën subjektet i shpalosin projektet dhe premtimet e tyre karshi qytetarëve.

Zgjedhjet e 9 shkurtit llogariten edhe si zgjedhjet e para të rregullta që nga pavarësia e shtetit të Kosovës, për shkak të përfundimit të mandatit qeverisës e jo rënies së saj siç ka ndodhur zakonisht në vendin tonë.

Por fushata elektorale që po zhvillohet tani, fokusin nuk e ka vetëm në Kosovë, por edhe në diasporë.

Disa prej partive politike zgjodhën që në këtë fushatë të mos shpalosin vetëm programet, por edhe të përqeshin partitë e tjera, të ofendojnë kandidatët, liderët partiak e gjithçka tjetër.

Kjo fushatë po përfshin edhe britma, ofendime, planprograme, kandidatë, postere të shumta e prezantime nga më të ndryshmet.

Pikërisht për shkak se kjo fushatë po përcillet me gjuhë të papërshtatshme, e shpesh ofenduese Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tashmë ka gjobitur partitë më të mëdha në vend.

Nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Prapashtesa deri më sot janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 125 mijë eurove ndaj subjekteve politike, të gjitha këto për shkelje të rregullave zgjedhore.

Kështu konfirmuan nga PZAP për lajmi.net, ku u tha se gjobat janë shqiptuar për një sërë rastesh që janë shqyrtuar dhe për të cilat vendimet gjenden në web-faqen zyrtare të PZAP-it.

“Rastet e përfshijnë: Anr.27/2025, Anr.28/2025, Anr.30/2025, Anr.32/2025, Anr.34/2025, Anr.35/2025, Anr.37/2025, Anr.48/2025, Anr.49/2025, Anr.50/2025, dhe të tjera deri në Anr.69/2025”, tha PZAP për Lajmi.net, teksa këto raste janë vendosur te fusha “Rasti i Ankesës” pastaj te “Statusi i rastit” në web-faqe të këtij institucioni”.

Ndryshe ditë më parë u bë e ditur se LDK-ja është gjobitur me 20 mijë euro, Vetëvendosje po ashtu në një rast 3 mijë euro, PDK me 19 mijë euro e AAK-Nisma 12 mijë euro. Këto gjoba më pas në disa prej partive edhe janë rritur, e shumëfishuar si raste.

Në lidhje me gjuhën e përdorur të subjekteve politike për zgjedhjet e 9 shkurtit, ditë më parë pati njoftuar edhe Demokracia në Veprim.

Në një konferencë për media në javën e kaluar, Eugen Zekolli nga DnV ishte shprehur se ka pasur përkeqësim të gjuhës së ashpër të përdorur në fushatë.

“Këtë javë kemi pasur ashpërsim e përkeqësim të gjuhës së përdorur në fushatë, me plotë 25 aktivitete gjatë monitorimit të së cilave janë raportuar raste të përdorimit të gjuhës së nxitjes apo urrejtjes, kryesisht mbi baza politike”, ishte shprehur të shtunën Zekolli.

Nga partitë politike në vend u bë thirrje që si kandidatët, liderët e nga partitë në përgjithësi të ketë kujdes të shtuar sa i përket gjuhës dhe veprimeve të përdorura në fushatë.

Afati prej 15 ditësh nga PZAP për t’u shlyer këto borgje është njësoj për të gjithë dhe mbetet të shihet sa do respektohet.

Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 9 shkurt 2025, ku në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. /Lajmi.net/