ASHAK: Humbje e madhe për kombin, akademik Rexhep Qosja la pas trashëgimi të përhershme shkencore e letrare
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar. Sipas njoftimit, lajmi për vdekjen e Qosjes është mësuar gjatë një aktiviteti të përbashkët në…
Lajme
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të shquara të mendimit shkencor, letrar dhe kombëtar shqiptar.
Sipas njoftimit, lajmi për vdekjen e Qosjes është mësuar gjatë një aktiviteti të përbashkët në Tiranë, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe ASHAK.
Në reagim thuhet se Qosja përfaqësonte një personalitet të jashtëzakonshëm të kulturës mbarëshqiptare, me kontribut të madh në zhvillimet shkencore, letrare dhe shoqërore.
“Veprimtaria e tij shumëdimensionale u karakterizua nga një qasje kritike dhe e argumentuar, duke kontribuar në mënyrë të veçantë në konsolidimin e mendimit albanologjik dhe afirmimin e identitetit kulturor e historik shqiptar”, thuhet në mesazhin e ASHAK-ut.
Akademia vlerëson se trashëgimia që ka lënë pas Qosja përbën një vlerë të çmuar dhe do të mbetet burim referimi për studiuesit dhe brezat e ardhshëm, ndërsa roli i tij në mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe zhvillimin e diskursit kritik në shoqëri ishte i rëndësishëm.
ASHAK dhe ASHSH kanë shprehur mirënjohje të lartë për kontributin e tij në zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare, si dhe për rolin në forcimin e bashkëpunimit ndërakademik.
Në fund, institucionet u kanë shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve të akademikut, duke respektuar dëshirën e tyre për privatësi në këto momente zie.
Kujtimi dhe vepra e Rexhep Qosja do të mbeten të përhershme në fondin e kulturës dhe ndërgjegjen kolektive të kombit shqiptar. /Lajmi.net/