Asgjë të re për zgjedhjen e presidentit

Ndërsa afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po rrjedhin, kryeministri Albin Kurti tha se ende nuk ka rezultate konkrete për arritjen e një marrëveshjeje. “Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare; kur të ketë rezultate, atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti. Ndërsa kandidati për president nga LVV-ja, Glauk Konjufca, tha se nëse partitë opozitare nuk…

Lajme

16/04/2026 13:12

Ndërsa afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po rrjedhin, kryeministri Albin Kurti tha se ende nuk ka rezultate konkrete për arritjen e një marrëveshjeje.

“Jemi në komunikim me kryetarët e partive opozitare; kur të ketë rezultate, atëherë ju njoftojmë”, tha Kurti.

Ndërsa kandidati për president nga LVV-ja, Glauk Konjufca, tha se nëse partitë opozitare nuk reflektojnë për marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje.

“Të dy subjektet politike nuk kanë qenë të vullnetshme të propozojnë emra. LDK-ja më ka lënë përshtypjen se do të takohen jo vetëm njëherë”, deklaroi Konjufca.

Por, në opozitë thonë se kryeministri Kurti nuk po dëshiron të gjejë zgjidhje për çështjen e presidentit të ri. Deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, tha se Kurti po përdor një skenar për ta dërguar vendin në zgjedhje.

“I njëjti nuk ka as disponim, as vullnet, as energji për të qeverisur me Qeverinë e Kosovës. Kosova nuk ka pasur luks e as nevojë për të shkuar në zgjedhje, por zoti Kurti dhe subjekti i tij politik nuk po i japin drejtim kësaj çështjeje. Ne jemi të imponuar të përgatitemi si subjekt politik për të shkuar drejt zgjedhjeve”, tha Gashi.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se kryeministri Albin Kurti po dëshiron që, përmes takimeve me partitë politike opozitare, të imponojë zgjedhjen e presidentit të ri. Në një përgjigje për RTV21, deputetja Kadrijaj tha se Kurti synon të udhëheqë me tri institucionet qendrore.

“LVV-ja nuk po kërkon marrëveshje; ata po kërkojnë që opozita të qëndrojë në sallë për raundet e para, në mënyrë që të zgjidhet kandidati i mazhorancës. Kjo nuk është marrëveshje. Marrëveshje është kur partitë që po i fton zoti Kurti në takim t’u thotë: a keni një kandidat ose propozoni dy kandidatë? Kandidatët tuaj t’i kenë nënshkrimet tona, partive që po i fton, si PDK-së ose LDK-së, në mënyrë që t’ua japë pozitën e presidentit.”, tha Kadrija.

Nëse nuk ka një marrëveshje politike brenda afatit kushtetues, vendi shkon në zgjedhje.