Asambleja e NATO-s i kthen shkëlqimin Pallatit të Kongreseve

23:58 | 23 Maj 2016

Pallati i kongreseve

Në godinën e ndërtuar 30 vjet më parë nga regjimi komunist për të zhvilluar kongreset e Partisë Komuniste do të mbahet në Tiranë nga datat 27-30 maj Asambleja Parlamentare e NATO-s.

Me një pamje tërësisht të ndryshuar, që nga salla kryesore, ambjentet ndihmëse e deri tek ashensorët të cilët prej vitesh ishin jofunskionalë, Pallati i Kongreseve do të presë 260 deputetë nga vendet anëtare të NATO-s dhe mbi 450 delegatë të tjerë nga shtete kandidate apo partnere të kësaj organizate, të cilët do të marrin pjesë në punimet e Asamblesë Parlametare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Edhe pse punëtorët vijojnë të përgatisin aparaturat dhe ambjentet, gjithçka do të jetë e përfunduar më datë 25 maj. Pas kësaj date, e gjithë godina i kalon në ruajtje Gardës së Republikës dhe përfaqësuesve të NATO-s. Nivelet e sigurisë do të jenë maksimale.

Do të krijohet një perimetër sigurie përreth Pallatit të Kongreseve, ku efektivët e Gardës, me mbështetjen edhe të Policisë së Shtetit, do të kryejnë kontrolle të imtësishme për të gjithë personat që do ndjekin punimet e Asamblesë.

Sheshi Italia do të jetë i boshatisur dhe nuk do të shërbejë si parking gjatë ditëve të zhvillimit të punimeve, por do jetë tërësisht në funksion të aktivitetit dhe të 56 delegacioneve pjesëmarrëse në të.

Por veç rëndësisë së madhe që merr Shqipëria me organzimin e këtij akvititeti, në përfundim të saj vendi ynë përfiton një Pallat Kongresesh tërësisht të rikonstruktuar. /tch