Asambleja e Mitrovicës së Veriut mblidhet më 10 shkurt
Më 10 shkurt është caktuar seanca e Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut. Në rast se nuk zgjidhet Kryesuesi i Asamblesë atë ditë, kjo komunë rrezikon të shkojë edhe në zgjedhje për asamblenë komunale.

Lajme
Seanca e Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut është caktuar të mbahet më 10 shkurt dhe njëra ndër pikat e rendit të ditës do të jetë “Zgjedhjen e Kryesuesit të Asamblesë Komunale”.
Mbledhja është caktuar të mbahet në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Vetriut
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se ftesat u janë dorëzuar këshilltarëve të Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut.
I njëjti burim ka thënë se Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut i duhet ta zgjedhë Kryesuesin e saj. Në të kundërtën, kjo asamble do të shpërbëhet.
“Në rast se Këshilltarët nuk arrijnë ta zgjedhin Kryesuesin e Asamblesë Komunale, atëherë asambleja do të mund të shpërbëhet sepse do të konsiderohet e paaftë për t’i kryer obligimet e veta”, ka thënë burimi i lajmi.net.
Ftesat për këshilltarët komunalë janë dërguar nga këshilltari më i vjetër, në cilësinë e e Ushtruesit të Detyrës së Kryesuesit të Asamblesë Komunale “në bazë të Ligjit për vetëqeverisje Lokale të Kosovës”.
Në Asamblenë Komunale të Mitrovicës së Veriut, Lista Serbe dhe SDP përfaqësohen me nga 6 këshilltarë komunalë, PDK me 3, LDK, AAK e SLS dhe komuniteti boshnjak me nga 1 këshilltar.
Mitrovica e veriut do t’i mbajë zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës më 23 shkurt.