As urime, as suksese

Avni Kastrati i PDK'së thotë se fitorja e Agim Bahtirit të AKR'së në Mitrovicë është e dyshimtë dhe njofton se ka bërë ankesa për parregullsi. E akuzon për manipulim me fletëvotime. Prandaj, atij as nuk i shkon mendja që ta urojë rivalin.

Lajme

02/12/2013 16:30

Avni Kastrati duket se e ka vështirë të pranojë faktin që Agim Bahtiri do ta zëvendësojë atë në postin e Kryetarit të Mitrovicës Jugore.

Kryetari në detyrë i këtij qyteti nuk e kishte parë si rival të fortë në këtë garë Bahtirin e Aleancës për Kosovën e Re të Behgjet Pacollit, që erdhi nga mërgimi për t’i hyrë garës.

Një konkurrencë e fortë nuk shihej as në shifrat e raundit të parë të zgjedhjeve, kur diferenca mes tyre ishte shumë e madhe.

Por, të dielën, rezultati u përmbys në Mitrovicë dhe Agim Bahtiri, sipas KQZ’së, është fitues i zgjedhjeve.

Ky rezultat për Avni Kastratin e PDK’së, i cili flet për lajmi.net, është i dyshimtë.

“Agim Bahtiri i ka fituar zgjedhjet duke bërë manipulime me vota”.

“Fitorja e tij është e dyshimtë”.

“Nuk kanë qenë rezultate të pritshme dhe mund t`ju them se ka pasur parregullsi. Ne kemi bërë ankesa dhe llogarisim në to, duke marrë parasysh se kanë hyrë fletëvotimet false dhe kjo ka ndikuar në rezultat”.

“Manipulimet me këto fletëvotime false janë bërë kryesisht në shkollën ‘Avdullah Shabani’ ku janë vërejtur parregullsi”.

Kastrati thotë se nuk e ka ndërmend t’i urojë fitoren kundërshtarit të tij.

“Jo, as nuk po më shkon mendja”.

“Nëse dikush ka fituar me fletëvotime false, si mund ta uroj?”

“I kemi bërë ankesat dhe ka afatin ligjor prej 24 orëve për shqyrtimin e tyre. Për këto është i njoftuar Prokurori, Policia si dhe PZAP”.

Ish kreu i Mitrovicës shprehet i bindur se nëse PZAP merr parasysh ankesat e tij, atëherë do të ketë përmbysje të rezultatit në Mitrovicë. Ai shpreson se do të rikthejë pozitën e Kryetarit të këtij qyteti.

“Sigurisht që po”.

“A a ka diçka më të rëndë se sa të futet fletëvotimi false. Nëse merren parasysh këto ankesa, atëherë normal që unë do të jem i pari”, thotë Kastrati për lajmi.net.

Sipas rezultateve të KQZ’së, Kandidati i AKR’së, Agim Bahtiri, fitoi zgjedhjet me një rezultat prej 12.178 votave, ose 52,18% ,duke lënë prapa Kundërkandidatin e tij nga PDK, Avni Kastratin me 11.159 vota, ose 47,82% të votave.