As me Lutën, as me Qemajlin
AAK në Gjilan do të rrijë neutrale gjatë garës së balotazhit midis Lutfi Hazirit të LDK’së dhe Qemajl Mustafës të PDK’së.

Lajme
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të përzihet në garën e balotazhit më 1 dhjetor, kur LDK dhe PDK konkurrojnë me Kandidatët e tyre për ta fituar pushtetin lokal në këtë qytet, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Dega e AAK’së në Gjilan ka vendosur të qëndrojë neutrale sa i përket koalicionit me dy partitë që garojnë në balotazh për Kryetar të Komunës, LDK me Lutfi Hazirin dhe PDK me Qemjal Mustafën.
Ky vendim, siç njoftohet, është marrë në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Degës.
Kryetari i AAK’së në Gjilan, Rexhep Kadriu, ka thënë se ofertat, si ajo e PDK’së dhe e LDK’së nuk janë në përputhje me interesat dhe parimet e Aleancës, andaj KD i Degës nuk e ka parë të udhës t’i dalë krah asnjërit nga Kandidatët në garën e balotazhit.
“AAK vlerëson se është e drejtë e qytetarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të këtij subjekti që votojnë sipas vullnetit të tyre”.