Arsim Bajrami i kënaqur me “studentët” e tij

Deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami tha se është ndjerë i kënaqur me praninë e studentëve të tij në Gjykatën Kushtetuese.

Lajme

25/08/2014 18:30

Ai në emisionin InfoMagazine në KlanKosova, duke folur mbi vendimin e Kushtetueses, tha se nuk e konsideron atë si fitore të PDK-së, por si një mundësi të fillimit të ndërtimit të institucioneve të vendit.

“Nuk është fitore e PDK-së, por është një mundësi e mirë e fillimit të ndërtimit të institucioneve”.

“Për të ndërtuar institucione demokratike duhen dy kushte, legjitimiteti demokratik dhe, e dyta, ligjshmëria dhe kushtetueshmëria”, tha ai.

Shumica e atyre që përballeshin me Arsim Bajramin e PDK-së në Gjykatën Kushtetuese ishin dikur studentë të profesorit Bajrami, por ai tha se është ndjerë krenar me këtë fakt.

“Jam ndjer krenar. Kur studentët e mi gjenden aty është edhe rezultat i mirë i profesorit. Vjosa Osmani ka qenë studente imja, ka qenë e shkëlqyeshme. Kam respekt për të, mendoj se ngritjen në politikë duhet ta bëjë hap pas hapi”, tha ai.

Dikush kishte shkruar në rrjete sociale se humbja e studentëve të Bajramit përball tij është pasojë e leksioneve të dobëta që ua ka dhënë profesori atyre.