Arsenijeviq: Do të kthehem në Kosovë kur më sigurohet një gjykim i drejtë

Kreu i partisë ultra nacionaliste serbe “Demokracia Serbe”, Aleksandar Asenijeviq, duke reaguar ndaj paralajmërimit të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, se do të arrestohet sapo të kthehet në Kosovë, ka thënë se “Sveçla e ka dënuar paraprakisht dhe se do të kthehet kur të ketë mundësi për një gjykim të drejtë”.…

Lajme

23/06/2025 14:37

Kreu i partisë ultra nacionaliste serbe “Demokracia Serbe”, Aleksandar Asenijeviq, duke reaguar ndaj paralajmërimit të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, se do të arrestohet sapo të kthehet në Kosovë, ka thënë se “Sveçla e ka dënuar paraprakisht dhe se do të kthehet kur të ketë mundësi për një gjykim të drejtë”.

Arsenijeviq ka thënë për Radio Kim se kundër tij po zhvillohet “një ndjekje, dhe se Sveçla e ka dënuar paraprakisht, prandaj as nuk pret një gjykim të drejtë dhe të paanshëm”

“Kur më sigurohet një gjykim i drejtë dhe korrekt, mezi pres të zbuloj të gjitha ato gënjeshtra dhe tërë këtë intrigë”, është përgjigjur Arsenijeviq në pyetje nëse ka ndërmend të kthehet në Kosovë, duke pasur parasysh se ministri i policisë ka paralajmëruar arrestimin e tij.

Sveçla bëri këtë paralajmërim pasi në pronën e Aleksandar Arsenijeviqit është gjetur një arsenal armësh, përfshirë raketahedhës dore, bomba dore, pajisje për kriptovaluta, jelek antiplumb dhe të tjera.

Sveçla ka thënë sot se Arsenijeviqi është në kërkim dhe ka paralajmëruar se do të ndalet sapo të hyjë në Kosovë.

Ai e akuzon Sveçlën se “vë nënshkrimin kudo”, dhe se jelekun antiplumb që përmendet, e kishte lajmëruar disa muaj më parë te drejtori i policisë për rajonin verior dhe zëvendësi i tij.