Arsenali kërkon Casillasin
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger është i interesuar për transferimin e portierit të Real Madridit, Iker Casillas, gjatë këtij afati kalimtar të verës, ka bërë të ditur gazeta sportive spanjolle AS.
Sport
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger nuk dëshiron të humb rastin për të bindur portierin e Real Madridit, Iker Casillas të transferohet në Emirates, gjatë këtij afati kalimtar të verës.
E përditshmja sportive madrilene AS ka njoftuar se Wenger kërkon Casillasin pasi aktualisht ka mbetur vetëm me polakun Wojciech Szczesny si portierin e vetëm në dispozicion pas largimit të Lukasz Fabianskit i cili iu bashkua Swansea Cityt dhe Emiliano Vivianos që u rikthye në Palermo pas skadimit të periudhës së huazimit.
Andaj, Arsenali me Wengerin – i freskët pas vazhdimit të kontratës në klub – besojnë se mund të bindin Casillasin që përfundimisht të largohet nga Santiago Bernabeu për të vazhduar karrierën në Emirates.
Casillas e mbylli sezonin me triumf në Ligën e Kampionëve dhe Copa del Rey mirëpo nuk u aktivizua si titullar në ndeshjet e La Ligës nga trajneri Carlo Ancelotti.