Arsenali i luftës” në zemër të Tiranës – zbulohet furgoni i mbushur me armë, municione dhe uniforma policie

Një sasi e madhe armatimi është zbuluar nga forcat e Policisë së Komisariatit Nr. 2 në një zonë pranë qendrës së Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “The Van”. Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Myslym Shyri”, policia gjeti një furgon të mbushur me arsenal lufte: gjithsej 23 armë zjarri, mes tyre 5 snajpera,…

Lajme

29/10/2025 10:45

Një sasi e madhe armatimi është zbuluar nga forcat e Policisë së Komisariatit Nr. 2 në një zonë pranë qendrës së Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “The Van”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Myslym Shyri”, policia gjeti një furgon të mbushur me arsenal lufte: gjithsej 23 armë zjarri, mes tyre 5 snajpera, 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, 15 mijë fishekë, si dhe uniforma të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit. Po ashtu, u sekuestruan celularë, pajisje për shpërthime në distancë, aparatura për bllokimin e valëve dhe pajisje elektronike gjurmuese (GPS), transmeton lajmi.net.

Në pranga ka përfunduar Eugert Sina, 34 vjeç, ndërsa dy persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në furgonin e shtetasit E.S. u gjetën:

  • 12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”
  • 6 armë automatike
  • 5 armë me tytë të gjatë dhe shënjestër optike (snajper)
  • 1 silenciator
  • 17 krehra për armë të ndryshme
  • 15 000 fishekë
  • 17 kuti me pranga si ato të Policisë
  • 12 celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë
  • Pajisje gjurmuese (GPS)
  • Pajisje për bllokimin e valëve
  • Pajisje për numërimin e kartëmonedhave
  • 3 komplete uniformash policie

Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”./lajmi.net/