Arsenali e ‘blindon’ pozitën e katërt

Arsenali e ka ‘blinduar’ pozitën e katërt, pas fitores së thellë prej 3:0 ndaj Newcastles. Golat e Koscielny, Ozil e Giroud, ia siguruan tri pikë të mëdha ekipit të Arsene Wenger, që e sheh veten më afër Ligës së Kampionëve.

Sport

28/04/2014 23:51

Arsenali e ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Ligën e Kampionëve për sezonin tjetër. Ekipi i Arsene Wengerit ia doli ta mposht Newcastlen me rezultat bindës, 3:0, për ta përforcuar pozitën e katërt në Premierligë.

Laurent Koscielny i kaloi në avantazh vendësit në minutën e 27-të, kurse Mesut Ozil e shtoi avantazhin në minutën e 42-të.

Ndërkaq, vulë këtij takimi i dha Olivier Giroud, me golin e tretë për ekipin londinez, në minutën e 66-të.

Topçinjtë u shkëputën në katër pikë ndaj Evertonit, vetëm dy xhiro pa përfunduar sezoni në Premierligë. Arsenalit i mjafton vetëm një fitore, për ta siguruar një vend në Top 4.