Arsenal e Liverpool bisedojnë me Cavanin

Sulmuesi i Paris Saint-Germain, Edinson Cavani ka zhvilluar bisedime me Arsenalin dhe Liverpoolin, ka njoftuar menaxheri i tij, Claudio Anelluci.

Sport

07/08/2014 21:37

Arsenal dhe Liverpool kanë shprehur interesim për transferimin e Edinson Cavanit, ka njoftuar menaxheri i sulmuesit të Paris Saint-Germain.

Cavani spekulohet me largim nga Parc des Princes gjatë këtij afati kalimtar të verës, dhe e ardhmja e tij mund të jetë në Premierligë.

Sipas menaxherit të Cavanit, Arsenal dhe Liverpool kanë shfaqur interesim konkret për 27-vjeçarin.

“Mund të konfirmoj se Cavani ka dëgjuar propozime nga Liverpool dhe Arsenal. Ai ka thënë se do t’i pëlqente të luante në Angli, por ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar”, deklaroi Claudio Anelluci për “El Telegrafo”.

“Ai nuk është i interesuar për para dhe famë, ai vetëm dëshiron të jetë i lumtur duke luajtur futboll”.