“Arrogantë dhe cinikë”, Arifi i ashpër ndaj Gërvallës e Sveçlës: Të japin dorëheqje

Aleanca ka kërkuar përgjegjësi politike pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, në një konferencë për media ka kritikuar ashpër dy ministrat për rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës, duke e…

Lajme

30/10/2026 14:49

Aleanca ka kërkuar përgjegjësi politike pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, në një konferencë për media ka kritikuar ashpër dy ministrat për rastin tragjik në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar sjelljen e tyre si arrogante dhe cinike.

Arifi ka shprehur mbështetje për protestën e grave në disa qytete të Kosovës, ndërsa dorëheqjen e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, e ka ndërlidhur me mundësinë e shmangies së përgjegjësisë politike të ministrit Sveçla.

“Kjo konferencë, e thënë më së buti, ishte shumë e poshtër e dy zyrtarëve publikë të shtetit të Kosovës në raport me qytetarët e Kosovës për një rast që e ka tronditur shtetin. Ministrja Gërvalla dhe ministri Sveçla konfirmonin informacione që qytetarët i kanë mësuar nga mediat dhe dëshmuan se dështimi në shumë nivele, ata janë përgjegjës. Arroganca dhe cinizmi i tyre ishte neveritës. Ne si Aleancë nuk kemi asnjë konkluzion tjetër se ekziston një përgjegjësi e qartë politike dhe kjo përgjegjësi politike duhet të adresohet nga Qeveria. Duhet të adresohet në atë mënyrë që edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duhet të japin dorëheqje. Jo vetëm dorëheqje morale, se ajo ish dashur të ndodhë në atë moment, por dorëheqje sepse kanë qenë jokompetentë në kryerjen e funksioneve të tyre, të cilat i kanë kushtuar me jetë një qytetareje të Kosovës”, tha ai në një konferencë për media të premten.

Arifi ka shprehur mbështetjen e Aleancës për protestën e grave në Prishtinë, përmes së cilës po kërkohet përgjegjësi politike për vrasjen e Arlinda Zekajt dhe dorëheqja e ministrave Gërvalla dhe Sveçla.

Arifi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestuesve, duke vlerësuar se kërkesat e tyre janë të drejta dhe meritojnë mbështetje. Madje, tha se edhe deputetët e AAK-së do të marrin pjesë në protestë.

“Ne si Aleancë e mbështesim protestën e grave që po ndodh në Prishtinë me kërkesë të qartë për dorëheqjen e dy ministrave. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje qytetarëve që t’i ndihmojnë gratë në këto protesta, qoftë përmes pjesëmarrjes apo formave të ndryshme. Drejtësia duhet të ndodhë edhe në aspektin politik. Nuk ka drejtësi nëse vazhdohet me këtë arrogancë dhe sjellje neveritëse. Të gjitha opsionet janë në tavolinë. Ne besojmë se është në interes të Kosovës jo vetëm që ne si parti politike, por edhe qytetarët e Kosovës ta mbështesin këtë protestë. Kërkesat janë të drejta dhe besojmë në kërkesat e tyre. Ne nuk duam të marrim flamur partiak. Deputetët e Aleancës do të marrin pjesë, por nuk duam të ndërhyjmë në një aktivitet të grave, i cili në parim nuk është politik, por po kërkon përgjegjësi politike”, tha Arifi.

Arifi, pas pyetjes së KosovaPress, ka komentuar edhe dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke ngritur dyshime se largimi i tij mund të jetë përdorur për të shmangur përgjegjësinë politike të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Duket sikur Kurti po krijon një lloj mburoje rreth Xhelal Sveçlës dhe po duket sikur është bërë kurban i kësaj situate. Unë nuk dua të paragjykoj përgjegjësitë e tij në kuptimin institucional, por çfarë mund të them është se po duket se ia kanë kërkuar dorëheqjen në mënyrë që të krijojnë një mbrojtje të pakuptueshme për përgjegjësinë politike”, tha ai.

Në konferencën e sotme për media, Gërvalla dhe Sveçla paraqitën një raport ku theksohen lëshimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor, në Pejë. Të njëjtit potencuan se dorëheqja e tyre nuk i kontribuon fuqizimit dhe mbrojtjes së grave.