Arritje e madhe: Rreshterja e Policisë së Kosovës përfundon Akademinë Kombëtare të FBI-së

Luljeta Mehmeti-Quigley, njëra ndër zyrtaret e para të Policisë së Kosovës dhe gruaja e parë që mori gradën Rreshtere në këtë institucion që nga viti 2001, ka përfunduar me sukses studimet në Akademinë Kombëtare të FBI-së. Ajo iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000, menjëherë pas themelimit të saj, dhe që prej asaj kohe…

Lajme

12/12/2025 09:08

Luljeta Mehmeti-Quigley, njëra ndër zyrtaret e para të Policisë së Kosovës dhe gruaja e parë që mori gradën Rreshtere në këtë institucion që nga viti 2001, ka përfunduar me sukses studimet në Akademinë Kombëtare të FBI-së.

Ajo iu bashkua Policisë së Kosovës në vitin 2000, menjëherë pas themelimit të saj, dhe që prej asaj kohe ka mbajtur një sërë pozicionesh drejtuese. Pas një periudhe në Mbretërinë e Bashkuar, Mehmeti-Quigley u rikthye në vendlindje në vitin 2013 për të vazhduar karrierën e saj policore, transmeton lajmi.net.

Tani, ajo ka arritur edhe një sukses të ri profesional me diplomimin në sesionin e 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së.

“Ceremonia e diplomimit të Sesionit 296 të Akademisë Kombëtare të FBI-së! Një përvojë që të ndryshon jetën. Ndihem krenare që jam diplomuar në FBI”, ka shkruar Mehmeti-Quigley.

Edhe Shoqata Amerikane-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) e ka përgëzuar këtë arritje, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme si për komunitetin shqiptar-amerikan, ashtu edhe për gratë në sektorin e sigurisë në Kosovë.

“Sukses që sjell krenari dhe që shërben si frymëzim për brezat e ardhshëm. Urime Kosovë!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e AALEA-s./lajmi.net/