Arrestohet zyrtarisht Presidenti i Koresë së Jugut; mbështetësit përfshihen në trazira

SEUL, Koreja e Jugut – Disa orë pasi Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol u arrestua zyrtarisht, duke shkaktuar trazira nga mbështetësit e tij, avokatët e tij thanë të dielën se ai mbetet sfidues në refuzimin e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me hetimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme muajin…

Bota

19/01/2025 20:02

SEUL, Koreja e Jugut – Disa orë pasi Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol u arrestua zyrtarisht, duke shkaktuar trazira nga mbështetësit e tij, avokatët e tij thanë të dielën se ai mbetet sfidues në refuzimin e tij për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me hetimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme muajin e kaluar.

 

Presidenti Yoon u arrestua zyrtarisht herët të dielën, disa ditë pasi u ndalua në kompleksin e tij presidencial në Seul. Ai përballet me mundësinë e dënimit me burg për vendosjen nga ana e tij të gjendjes së jashtëzakonshme, që shkaktoi krizën më serioze politike të vendit që nga demokratizimi i tij në fund të viteve 1980.

 

Arrestimi i Presidentit Yoon mund të shënojë fillimin e një periudhe të zgjatur në paraburgim, që mund të zgjasë me muaj të tërë, ose më shumë.

Vendimi për të arrestuar Presidentin Yoon ndezi trazira tek Gjykata e Qarkut Perëndimor të Seulit, ku dhjetëra mbështetës të tij hynë me forcë, duke shkatërruar derën dhe dritaret kryesore. Ata përdorën karrige plastike, trarë metalikë dhe mburojat e policisë, që arritën t’ua marrin policëve. Disa u panë duke hedhur objekte dhe duke përdorur fikëset e zjarrit, duke shkatërruar mobiljet dhe automjetet zyrtare, duke thyer dyert e xhamit dhe duke hedhur ujë mbi serverat e kompjuterave. Ata bërtisnin duke kërkuar të shihnin gjyqtaren që kishte lëshuar urdhrin e arrestit, por ajo tashmë ishte larguar nga godina.

 

Qindra oficerë policie u dislokuan dhe rreth 90 protestues u arrestuan. Disa policë të plagosur janë parë duke u trajtuar në ambulanca. Gjykata tha se po përpiqej të konfirmonte nëse ndonjë punonjës ishte plagosur dhe të vlerësonte dëmet në objektet e saj.

Në një deklaratë të lëshuar nëpërmjet avokatëve, Presidenti Yoon u ankua se gjykata nuk e njohu “qëllimin e drejtë” të dekretit të tij të ligjit ushtarak, por gjithashtu u kërkoi mbështetësve të tij që ta shprehin zhgënjimin e tyre në mënyrë paqësore. Ai i bëri thirrje policisë që të mbajë një qëndrim të butë ndaj protestuesve.

 

Por qindra mbështetës të Presidentit Yoon vazhduan të përlesheshin me policinë teksa i zgjatën tubimet e tyre deri në mbrëmje përpara Gjykatës Kushtetuese të Seulit, e cila po zhvillon diskutime të veçanta nëse do të hiqej zyrtarisht nga detyra presidenti i akuzuar, apo nëse do ta rikthente atë në detyrë. Të paktën tre protestues u ndaluan në vendngjarje. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme në godinën e gjykatës, e cila u bllokua nga policia. VOA