Arrestohet prokurori Beqë Shala në Prizren- detaje nga bastisja në shtëpinë e tij

Policia e Kosovës ka kryer një arrestim në Prizren. Arrestimi i një personi të dyshimtë është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale. Por tanimë është bërë e ditur se i dyshuari i arrestuar në këtë rast është Prokuror. Bëhet fjalë për prokurorin, Beqë Shala, i cili është arrestuar në vendin e punës në orar të…

Lajme

27/10/2025 09:04

Policia e Kosovës ka kryer një arrestim në Prizren.

Arrestimi i një personi të dyshimtë është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Por tanimë është bërë e ditur se i dyshuari i arrestuar në këtë rast është Prokuror.

Bëhet fjalë për prokurorin, Beqë Shala, i cili është arrestuar në vendin e punës në orar të punës.

Shala është prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë në Prizren. Ai dyshohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Para arrestimit policia ka kryer edhe një bastisje në shtëpinë e tij, meqë rast janë sekuestruar materiale dhe prova të cilat lidhen me dyshimet e ngritura.

Shala thuhet të ketë qenë nën masa të fshehta të hetimit prej shumë kohësh, hetime këto të kryera ndërmjet policisë dhe Prokurorisë Speciale.

Njoftimi i Prokurorisë:

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh  nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.

Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi./Lajmi.net/