Arrestohet personi i cili shkeli për vdekje Valon Asllanin

Është arrestuar fajtori, i cili para dy javëve me veturën e tij në orët e vona shkeli për vdekje një kalimtar në udhëkryqin që nga qendra çon për në Gërmi. Liridon Vokrri, student i vitit të dytë në Fakultetin e Mjekësisë, madje nuk ishte ndalur fare për t’i dhënë ndihmën e parë viktimës. 

Lajme

29/04/2014 23:08

 

(E plotësuar) 23.58

Policia ka njoftuar gjatë një konference para tri ore, se personi që kishte aksidentuar Valon Asllanin, ishte Liridon Vokrri. Mirëpo në një njoftim tjetër për media, Policia e Kosovës njofton se pas verifikimit të dokumentacionit të personit të dyshuar është verifikuar se emri i tij është Fatbardh V. e jo siç ata kanë lajmëruar më herët.

 

Por Policia thotë se në të njëjtën kohë, ka arritur ta identifikojë edhe personin e dyshuar Liridon V. (1991) nga Prishtina, i cili është duke intervistuar në stacionin policor.

 

 

 

Aksidenti ka ndodhur në udhëkryqin tek Kuvendi i Kosovës, në rrugën Agim Ramandani, që lidhet me rrugën Nazim Gafurri, aksident ky që i solli vdekjen Valon Asllanit.

I dyshuari Liridon Vokrri, pas aksidentit kishte rinovuar veturën e tij, duke tentuar t’i ikën përgjegjësisë.

Mirëpo sot, pas shumë hetimeve, ai është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Personi i dyshuar gjendet në stacionin e Policisë për intervistim dhe i njëjti është i vitit të lindjes 1991. Emri i tij është Liridon Vokrri, student i Fakultetit të Mjekësisë në vitin e dytë. Pra, policia e Kosovës është duke vazhduar intervistimin e tij, si dhe intervistimin e disa personave të tjerë të mundshëm që janë në cilësinë e dëshmitarëve”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Identifikimi dhe arrestimi i Vokrrit, përveç dëshmitarëve të shumtë, është ndihmuar edhe nga pamjet e kamerave që kanë qenë në atë lokacion. Përmes këtyre kamerave Policia ka arritur që të identifikojë veturën e dyshuar, e cila ka mundur të jetë e përfshirë në këtë rast.

“Në bazë të të gjitha hetimeve të atyre që kanë rezultuar nga pamjet e kamerave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, e po ashtu edhe në bazë të pjesëve të cilat janë konfiskuar nga Policia e Kosovës, është arritur të identifikohet një veturë e përfshirë në këtë rast e që është e tipit Pasat, ngjyrë e zezë. Pra, duke u bazuar në të gjitha këto dëshmi, njësitet e hetimit të trafikut kanë arritur ta identifikojnë veturën dhe personin e dyshuar i cili e ka shkaktuar këtë aksident”, ka thënë Kelani, raporton KosovaPress.