Arrestohet për mashtrim

Policia e Kosovës, ka arrestuar një person i cili dyshohet se ka bërë mashtrime. Behar H. dyshohet se me anë të një ankandi të rrejshëm, ka marrë në mënyrë të paligjshme rreth 8 mijë euro.

Lajme

13/12/2013 15:24

Është arrestuar mashtruesi i rreth 8000 mijë eurove.

Drejtoria e Hetimeve të Krimeve të Rënda, ka realizuar dje një plan operativ në Prishtinë, plan ky i cili ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit Behar H. i lindur me 1978 cili dyshohet të ketë kryer veprën penale të “mashtrimit”.

Në një komunikatë për media e lëshuar nga Policia e Kosovës thuhet se i dyshuari, duke u prezantuar si punonjës i KFOR-it, i ka mashtruar viktimat, se gjoja KFOR-Film City, ka organizuar ankand publik për shitje të mjeteve të punës dhe me këtë informacion të rrejshëm ka arritur t’ju marrë të holla kesh në vlerë prej 4000 deri 8000 €.

Vlera totale e marrjes së të hollave në bazë të rasteve të raportuara deri më tani arrin vlerën e 35. 530 € para kesh dhe janë identifikuar shtatë qytetarë që janë mashtruar nga ky i dyshuar.

“Lidhur me këtë rast me autorizim të prokurorit janë bastisur tri lokacione të dyshuara, lokacione këto në të cilat ka qëndruar i dyshuari, me ç’rast janë konfiskuar si prova materiale: dokumentacione të ndryshme, certifikata të biznesit në emër të disa viktimave, një llop-top, kartela të telefonit, etj”.

I dyshuari pas intervistimit me aktvendim të prokurorit ndalohet për 48 orë dhe dërgohet në qendër të mbajtjes për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.

“Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që nëse kanë rënë pre e mashtrimeve të natyrës së tillë të raportojnë rastin në stacionin më të afërt policor”.