Arrestohet për fajde 41-vjeçari në Pejë

Është arrestuar një 41-vjeçar në Pejë pasi që i njëjti dyshohet për përfshirje në veprat penale “Fajde” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”.

Lajme

10/10/2019 10:26

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një 41-vjeçar me inicialet, K.B. në Pejë, pasi që i njëjti dyshohet për përfshirje në veprat penale “Fajde” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve”.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se fillimisht Policia e Kosovës, konkretisht Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, ka pranuar informacionin se një qytetar ka marrë 14 mijë euro me fajde, ku i dyshuari në fund të muajit shtator 2019, i kërkon 36 mijë euro viktimës si detyrim për paratë e ofruara më herët.

“Duke zbatuar masat e fshehta të hetimit, hetuesit policorë kanë arritur që dje, 9 tetor, të arrestojnë të dyshuarin K.B. i lindur më 1978. Bëhet e ditur se të njëjtit, pas dërgimit në Stacionin Policor në Istog, i janë gjetur dhe konfiskuar 34 mijë e 950 euro, të cilat ia kishte ofruar viktima”, thuhet në njoftim.

Njëherësh, policia, me aprovim të organeve të drejtësisë, ka kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit ku janë gjetur dëshmi relevante dhe një pistoletë.

Me aktvendim të prokurorit i dyshuari dërgohen në mbajtje prej 48 orëve. /Lajmi.net/